Veriorët kërcënojnë me kthimin e barrikadave

Përfaqësues të komunave veriore të populluara me shumicë serbe kanë paralajmëruar Prishtinën me ndërprerje të bashkëpunimi, nëse nuk ka ndryshim të qasjes karshi tyre.

Madje në Zubin-Potok kanë kërcënuar edhe me rikthim të barrikadave dhe rritje të pakënaqësisë qytetare. Sebep është alokimi i mjeteve të buxhetit nga kuleta e shtetit për katër komunat veriore, si dhe moszbatimi i “detyrimeve” që dalin nga marrëveshjet e Brukselit për këto komuna, shkruan sot Koha Ditore.

Udhëheqës të Komunës së Zubin-Potokut kanë thënë t’i kenë dërguar Qeverisë së Kosovës paralajmërimin e fundit për shkëputje të marrëdhënieve. Ankesat e tyre janë për reduktim të vazhdueshëm të fondeve për investime kapitale, pengim i shfrytëzimit të fondit për veriun, si dhe moskryerje pagesash qe një vit për 20 pjesëtarët e ish-mbrojtjes civile.

Përmes zëdhënësit të kësaj komune, Srdjan Vuçiniq, ata kanë kërcënuar se “zemërimi” i tyre do të manifestohet edhe me vendosje të barrikadave. Për marrjen e kësaj mase kanë kërkuar përkrahjen edhe të tri komunave të tjera në veri.