Vendkalimi kufitar Refah hapet për muajin Ramazan

Qeveria e Egjiptit, njoftoi se vendkalimin kufitar Refah, që është pika e vetme e Gazës nën rrethimin e Izraelit që lidh atë me botën e jashtme, do të qëndrojë hapur gjatë muajit Ramazan “për të lehtësuar vështir ësitë e banorëve të rajonit”, transmeton Anadolu Agency (AA).

“I kam dhënë urdhrin e duhur organeve kompetente që të vazhdojnë kalimet nga vendkalimi kufitar Refah për të lehtësuar vështirësitë e vëllezërve tanë në Rripin e Gazës”, ka shkruar presidenti i Egjiptit, Abdulfettah es-Sisi.

Qeveria egjiptiane ditën e shtunë e kishte hapur vendkalimin kufitar për 4 ditë në të dyja drejtimet për “rastet e jashtëzakonshme”.

Qeveria e Egjiptit pas grusht shtetit në këtë vend më 3 korrik të vitit 2013, mbylli vendkalimin kufitar Refah, të cilin e hap në periudha të shkurtra kohore.

Gjashtë prej shtatë vendkalimeve kufitare në Gaza janë nën kontroll të Izraelit, përveç Refahut, që është nën kontroll të Egjiptit. Katër prej këtyre gjashtë vendkalimeve të cilat përdoreshin për qëllime tregtare, pas fitores së zgjedhjeve dhe marrjes së detyrës nga Hamasi në qershor të vitit 2007 ishin mbyllur nga Izraeli.

Ndërkaq, nga dy vendkalimet e tjera, Bejt Hanun përdoret për kalimin e atyre që kanë pasaporta të huaja, të sëmurëve dhe biznesmenëve në Bregun Perëndimor. Kurse vendkalimi Kerm Ebu Salim përdoret për kalimin e disa produkteve tregtare. Kerm Ebu Salim dhe Bejt Hanun shpesh mbyllen për arsye të ndryshme.