Vendet euroskeptike më të rrezikshme se Brexit për BE-në

Vendet anëtare të “tipit si Polonia” konsiderohen në Bruksel si një “rrezik më i madh sesa Brexit” në lidhje me kompaktësinë e Bashkimit Evropian, deklaroi të premten komisionerja evropiane, polakja Elzbieta Bienkowska, në vizitë në Krakovi.

“Brexit ka qenë një goditje për të gjithë, por sot e deklaroj me përgjegjësi të plotë në këndvështrimin tim, në Bruksel, nuk po them Polonia, por vendet e tipit si Polonia po shfaqen si një rrezik më i madh për vijimin e lidhjes së fortë në BE në krahasim me Brexit”, pohoi komisionerja në “Tregun e Përbashkët” dhe “Industrinë”, gjatë një takimi “për dialog qytetar” me banorë të ish-kryeqytetit polak.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të sallës, ajo citoi disa pika fërkimi mes Komisionit Evropian dhe qeverisë konservatore të Varshavës, si refuzimi i shpërndarjes së migrantëve në formë solidariteti me vende të tjera evropiane, reformat që i mundësojnë qeverisë për të kontrolluar organizatat jo-qeveritare, duke kaluar nga prerja e pemëve në pyllin kryesor në Bialowieza pavarësisht një vendimi të Gjykatës së Drejtësisë së BE.

Gjithsesi ajo vlerësoi se Polonia pritet të marrë pjesë në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes evropiane pavarësisht ftohjes së marrëdhënieve nga heqja dorë e kontratës së blerjes të helikopterëve “Caracal Airbus” në tetorin e 2016.

“Në këndvështrimin e arsyetimit të shtetit polak, është e paimagjinueshme që qeveria polake nuk është pro këtij fakti”, deklaroi Bienkowska për median në vazhdën e takimit kushtuar sigurisë evropiane.

“Situata e krijuar në lidhje me helikopterët la pas një ndjesi mjaft negative për muaj apo për vite me radhë në marrëdhëniet franko-polake”, u shpreh komisionerja evropiane në “Tregun e Brendshëm” dhe për “Industrinë”./Mesazhi/