Vdes një 85 vjeçar në Skënderaj si pasojë e zjarrit

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës përmes një komunikate për media ka thënë se rasti është cilësuar si vdekje e dyshimtë, raporton lajmi.net.

“Me datën 24 mars 2019, në stacionin policor në Skenderaj, është raportuar se një 85 vjeçar ka mbetur pa shenja jete, ku dyshohet që vdekja të jetë shkaktuar nga plagët e pësuara nga zjarri. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”, ka thënë ai.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se Prokurori i rastit është nisur për në vendin e ngjarjes për të qartësuar rrethanat e vdekjes.

“Hetuesit policorë nën udhëheqjen e prokurorit të rastit kanë nisur hetimet për të qartësuar rrethanat mbi vdekjen e viktimës. Nga të dhënat e para të siguruara nga disa dëshmitarë thuhet se viktima fillimisht kishte shkuar në një zonë malore ku kishte ndezur një zjarr ku edhe janë ngritur dyshimet për vdekjen e tij”, ka thënë ai.“

Pas përfundimit të procedurave në vendin e ngjarjes me urdhër të prokurorit të rastit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për ekspertizë mjeko-ligjore.

Sipas rrethanave të ngjarjes rasti është iniciuar si ‘vdekje e dyshimtë”, ka përfunduar Zahiti.Detaje të tjera ende nuk dihen.