Vdes imami Iljaz Rrahmani, dijetari i cili nuk pyeste as per komunizmin (Video)

Ka ndërruar jetë në moshën 95 vjecare imami Iljaz Rrahmani – Sekiraqa, i cili kishte sherbyer si imam dhe mesues për shumë dekada.

Mulla Iljas efendi Rrahmani u lind më 15.05.1923 në fshatin Sharban dhe pas dy viteve zhvendoset me familje në Prapashticë. I takon gjeneratës së fundit të nxënësve të Medresesë “Pirinaz” të Prishtinës.

Mësimet e para i filloi në Mektebin e Keqekollës, për të vazhduar në Medresenë “Pirinaze” tek myderrizi i njohur Ahmet efendi Mardoqi, e pas luftës së dytë botërore mësoi edhe në Medresenë e madhe të Gjakovës, tek alimi i njohur Fahri efendi Iljazi.

Mulla Iljasi, si i ri mori detyrën e imamit, mualimit e hatibit në fshatin Prapashticë, për ta vazhduar në Majac e pastaj në Dumnicë të Llapit, dhe më vonë në Burim (ish-Istog) e Podujevë, ku edhe u pensionua me 1993.

Edhe pas pensionimit, mulla Iljasi vazhdoi kontributin e tij si imam në qytetin jugor të Shqipërisë, në Vlorë.

Gjithkund ku punoi, hoxha i nderuar dha një kontribut të çmuar në përhapjen e fjalës islame, prandaj gjatë jetës së tij kishte pasur respekt të madh si në xhemat ashtu edhe ndër kolegët dhe hoxhallarët e rin. Deri pak ditë para vdekjes, hoxha ishte i angazhuar për mbajtjen e mësim-besimit me të rinjtë, dhe kishte mjaft nxënës.

Përpjekjet e tij për këtë mision i ushtroi edhe nën trysninë e madhe të ish-sistemit të egër komunist.

Imami kishte sherbyer si hoxhe menjehere pas renies se komunizmit ne Shqiperi, ku kontribuoi ne rizgjimin e dijes islame.

Mulla Iljasi veprimtarinë e tij e kishte vazhduar deri në qastet e fundit të jetës, dhe nga duart e tij kanë dalur mijëra lexues të mirë të Kur’anit dhe shumë hoxhallarë të rinj.

Namazi i xhenazes së imamit falet nesër (E Marte, 31 tetor) ne ora 12:00, te Xhamija Abdul Kader Arnauti, (afër “Bunarit të Hajratit”, rrugës për Kolovicë, në xhaminë e imamit Ekrem Ahmeti). Pas namazit, xhenazja do te percjellet deri ne varrezat në fshatin e lindjes në Prapashticë.

Allahu e bëftë imamin prej banorëve të Xhenetit!

https://www.youtube.com/watch?v=WAs7GJEd5D0&feature=youtu.be

/MESAZHI/