Vdes 47 vjeçarja e aksidentuar dje në Ferizaj

Në një aksident trafiku të ndodhur dje rreth orës 17:20 në fshatin Slivovë të Ferizajt, ka humbur jetën një person.

Sipas policisë, rasti ka ndodhur në rrugën lokale të fshatit Slivovë, ku sipas raporteve të para, ngasësi i automjetit të udhëtarëve me targa lokale G.K. (m/sh/k 22 vjeç), duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes me kushtet e rrugës, humb kontrollin ndaj timonit dhe godet dy këmbësore të cilat marrin lëndime serioze.

“Të lënduarat dërgohen në QKUK Prishtinë për tretman mjekësor, ku rreth orës 19:00, nga personeli mjekësor jemi njoftuar se viktima E.A. (f/sh/k 47 vjeçe) nga lëndimet e pësuara ka ndërruar jetë dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës dërgohet për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore”, njofton Policia e Kosovës.

Me rastin po merren hetuesit policorë, derisa i dyshuari, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndalohet për 48 orë.