Vdekjet në aksidente: Cilat shtete janë më të rrezikshmet?

Vendet e Evropës Lindore kanë numrin më të madh të viktimave të rrugëve për kokë brenda Bashkimit Evropian, thonë të dhënat nga Këshilli Evropian për Sigurinë në Transport, ETSC, megjithatë numri i përgjithshëm i vdekjeve në të gjithë bllokun del të jetë më shumë se i përgjysmuar gjatë dy dekadave të fundit – thuhet në një shkrim/hulumtim nga Euronews.

Sipas shifrave të agjencisë ETSC, pak më shumë se 25,000 njerëz humbën jetën në rrugët e BE vitin e kaluar. Krahasuar me 17 vite më parë, në vitin 2001, më shumë se 55,000 gjetën vdekjen në aksidente trafiku. Sipas Euronews, gjatë vitit 2001, vendet baltike, Lituania dhe Letonia, kishin një shkallë të lartë të rrezikshmërisë sa i përket kësaj dukurie, duke regjistruar 236, respektivisht, 202 vdekje për një milion banorë – shifra këto ndër më të lartat në bllokun evropian. Mirëpo, sot, 17 vjet më vonë, këto dy shtete kanë bërë përparimin më të mirë në bllokun e vendeve të BE në lidhje me uljen e vdekjeve si pasojë e aksidenteve në rrugë.

Përmirësimi i madh i Letonisë nuk mjaftoi që ta parandalojë këtë vend të jetë  me rrugët më të rrezikshme në BE-së vitin e kaluar, me 77 vdekje për një milion banorë – statistikë e njëjtë kjo me atë në Hungari .Bullgaria me 87 vdekje për një milion banorë dhe Rumania me 96 vdekje për një milion banorë, si vendi me numrin më të madh të fataliteteve në rrugë në BE, janë ndër vendet më të rrezikshme brenda BE-së. Sidoqoftë, përkundër faktit që kanë rrugët më të rrezikshme, Rumania dhe Bullgaria e kanë ulur numrin e vdekjeve në rrugë me 23.8% dhe 39.6% respektivisht, përqindje kjo e mjaftueshme për tu renditur nën pragun e 100 vdekjeve për një milion banorë. Në fakt, gjatë dy viteve të kaluara, asnjë vend i BE nuk e ka arritur apo tejkaluar atë prag. Pesë prej vendeve anëtare të BE-së ishin përtej këtij pragu në 2010 përderisa 21 vende përtej këtij pragu ishin në vitin 2001.

Që nga viti 2001, Britania e Madhe ka arritur ta zvogëlojë përgjysmë numrin e viktimave me fatalitet  duke e ndërruar vendin me Suedinë për t’u bërë vendi më i sigurt në BE. Vitin e kaluar, Britania e Madhe regjistroi 28 vdekje për milion banorë nëpër rrugët e saja  (nga 61 vdekje sa kishte në vitin në 2011) ndërsa Suedia regjistroi 32 vdekje për një milion banorë (duke rezultuar me ulje nga numri 60).Britania e Madhe, Irlanda dhe Danimarka, me 30 vdekje për një milion banorë, plotësojnë tre vendet e para. Malta, ishulli i vogël mesdhetar i BE-së, është i vetmi vend brenda bllokut me rritje prej 12.5% të fataliteteve gjatë periudhës 2001-2018. Vitin e kaluar, 18 njerëz kishin vdekur në rrugët e Maltës, mesatarisht me 38 vdekje për një milion banorë – vendi i pestë më i sigurt në bllokun e BE-së. Nga vendet evropiane që janë jashtë bllokut të BE-së, ku përfshihet edhe Kosova, numri i fataliteteve nëpër rrugë është dukshëm më i madh, madje duke e tejkaluar edhe pragun prej 100 vdekjeve për një milionë banorë, prag ky i cili përdoret si një matës i statistikave të këtij lloji brenda BE-së.

Në Kosovë, aksidentet në trafik janë shndërruar viteve të fundit në një problem serioz në Kosovë. Sipas Policisë së Kosovës, 52 persona kanë humbur jetën që nga janari i vitit 2019 si pasojë e aksidenteve, kurse qindra të tjerë kanë marrë lëndime të lehta apo të rënda trupore. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHP) jep shifra shqetësuese lidhur me numrin e lartë të aksidenteve të trafikut me fatalitet duke alarmuar dhe paralajmëruar njëkohësisht se nëse nuk merren masa urgjente, humbja e pritshme e jetëgjatësisë së banorëve do të jetë enorme, andaj apelon te të gjithë qytetarët të kenë shumë kujdes gjatë drejtimit të automjeteve, pasi automjeti është armë vrasëse që merr viktima të pafajshme. Ky Institut thekson mungesën e masave të ndërmarra në parandalimin e aksidenteve duke i renditur disa nga shkaqet e aksidenteve të shumta duke listuar faktorin njeri si një ndër shkaktarët kryesorë duke vazhduar më tej me shkaktarë tjerë të tillë si mosrespektimi rregullave në trafik, manipulimi në lidhje me sigurimin e teknik te mjeteve, tejkalimin e shpejtësisë, mospërshtatja e kushteve të rrugës, përdorimi i telefonave, vozitja nën ndikimin e alkoolit, substancave narkotike, ndikimi i lodhjes apo pagjumësisë dhe një varg faktorësh tjerë. Ky Institut ka dalë me një numër rekomandimesh të cilat do të duhej të aplikoheshin për të rralluar, në mos ndaluar tërësisht, rastet e aksidenteve më fatalitet.

Sipas IKSHP, nga 1 janari i vitit 2017, në aksidente rrugore nëpër rrugët e Kosovës kanë humbur jetën mbi 300 persona, prej tyre 137 kanë vdekur më 2017, 129 më 2018 ndërsa në periudhën Janar-Korrik të vitit 2019, numri total i vdekjeve në rrugët e Kosovës ka arritur në 52. /kallxo.com/