Vdekjet e dyshimta në QKUK, Prokuroria kërkon ekspertiza edhe jashtë Kosovës

Prokuroria e Shtetit është duke i vazhduar hetimet lidhur me rastet e vdekjeve të dyshimta në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Në një përgjigje për “Indeksonline” zëdhënësi i këtij organi të hetuesisë, Ekrem Lutfiu ka treguar se deri në cilën fazë të hetimeve janë përkitazi me rastet në fjalë.

Ai ka bërë të ditur se rasti është në fazën e hetimit. Sipas tij, i njëjti është duke u trajtuar me prioritet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

“Fakti se në rastin konkret janë të nevojshme të kryhen ekspertiza të ndryshme laboratorike, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, e bënë këtë rast më kompleks, për çka edhe kërkon kohë më të gjatë të hetimeve”, është shprehur Lutfiu për “Indeksonline”.

Ndryshe, në QKUK më 7 shtator të vitit të kaluar kishin vdekur dy persona për shkak të komplikimeve gjatë operacioneve, ku sipas Policisë dhe Prokurorisë të dy këto raste u cilësuan më tej si të dyshimta.

Kujtojmë se përveç këtyre dy rasteve, në hetime është edhe një tjetër rast që ishte raportuar nga familjarët. Për këtë të fundit bëhet fjalë për pa kujdesi dhe pajisjet mjekësore.