Vdekja e Morsit “plotësisht e parashikueshme”

Sipas organizatës për të drejtat e njeriut HRW (Human Rights Watch), vdekja e presidentit egjiptian të parë dhe të vetëm të zgjedhur në rrugë demokratike, Mohamed Morsi, ishte e pritshme duke marrë parasysh trajtimin e tij nga autoritetet, raporton Anadolu Agency (AA).

“Kjo është e tmerrshme, por plotësisht e parashikueshme, duke marrë parasysh dështimin e qeverisë për t’i mundësuar kujdes adekuat mjekësor, shumë më pak edhe vizita familjare”, shkroi në tëitter Sarah Leah, përfaqësuese e HRË-së në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore.

Ajo bëri të ditur se HRË është në përfundim të një raporti mbi shëndetin e Morsit.

Ndryshe, 67-vjeçari Morsi humbi jetën në një seancë gjyqësore në të cilën përballej me një mori akuzash që kur u rrëzua dhe u burgos pas puçit ushtarak në vitin 2013.

Ish-presidenti Morsi u largua nga detyra përmes një puçi ushtarak në vitin 2013, nga ministri i atërhershëm i Mbrojtjes dhe më pas president i Egjiptit, Abdel Fattah el-Sisi.

Morsi u dënua me 48 vjet burgim gjithsej në katër nga gjykimet e hapura kundër tij, ndërkohë që vazhdonte procesi i gjykimit në dy raste të tjera për Morsin.

Ai mbahej në izolim pavarësisht nga fakti se ai ka shprehur shqetësime në lidhje me shëndetin e tij. Ai nuk mund të merrte pjesë në shumicën e seancave në gjyqin e tij të nisur pak pasi u rrëzua nga grusht shteti i përgjakshëm në vitin 2013.

“Gjendja ime shëndetësore është bërë serioze dhe po përkeqësohet nga dita në ditë”, pati thënë Morsi më parë, i cili theksoi se nuk do të hiqte dorë nga kërkimi i trajtimit mjekësor, duke deklaruar se kishte rënë dy herë në komë diabetike sepse nuk mund të hante ushqimin e burgut.

Duke iu përgjigjur kërkesave të ish-presidentit, gjyqtari theksoi se kërkesa për ekzaminim mjekësor duhej të nënshkruhej nga mjekët e burgut, një vendim që u refuzua, ndërkohë që autoritet egjiptiane thonin se Morsi po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor në burg.