Vazhdon të hetohet rasti i të prekurve nga alergjia si pasojë e votave nga Serbia

26 persona nga KQZ-ja dyshohet se kanë alergji në duar si pasojë e numërimi të votave të ardhura ng Serbia, njofton Klan Kosova.

Këtë për klankosova.tv e bëri të ditur Besnik Buzhala, udhëheqës i Divizionit për Shërbim të Votuesve.

Ai shtoi se deri në informacionet e tanishme nuk është fjala për ndonjë helmim, pos alergjisë në duar.

“ Diku 26 persona kanë pasë kontakt me zarfet e ardhura nga Serbia. Këta persona  kanë marrë alergji në duar. Deri në informacionet e tanishme që kanë nuk është një helmim, por më pas hulumtimeve tjera nuk e di çka do të del”.

“Gjendja shëndetësore e këtyre personave është duke u kontrolluar nga shërbimet mjekësore të autoambulancave”, tha Buzhala për klankosova.tv.

Ndërsa prokurori Kujtim Munishi tha se ata kanë dalë në vendin e ngjarjes ku dyshohet se janë helmuar këta persona.

“Lidhur me rastin do të ju informojmë edhe më vonë, jemi në vendin e ngjarjes dhe jemi duke hetuar rastin”, deklaroi për Munishi për klankosova.tv.

Klan Kosova po ashtu ka kontaktuar edhe me Daut Hoxhën, zëdhënës për media nga Policia e Kosovës,  i cili nuk dha shumë detaje për këtë fazë të rastit.

“Policia posedon informacionin e tillë. Ndërsa lidhur me detaje në këtë fazë adresojuni në KQZ”, tha Hoxha.

Këta persona kanë marrë ndihmë mjekësore edhe  në QKUK, ku 9 nga ata janë shtrirë në Klinikën Infektive.

Nga Drejtoria e SHSKUK-së bëjnë të ditur se të gjitha pacientet e pranuara ishin gra, dy prej të cilave ishin shtatzënë.

“Dy nga to kanë patur edhe vjellje.  Të gjitha kishin ndjenjë diskonforti dhe frikë. Te të gjitha rastet nuk ka patur sindromë infeksioze dhe gjendja e përgjithshme është stabile”, thonë nga SHSKUK.

“Pacientët pohojnë se menjëherë pas hapjes së zarfave brenda në kuti të votimeve kanë ndjerë aromë kundërmuese.Ekipa kujdestare e Klinikës Infektive kanë ndërmarrë masat e duhura duke i spitalizuar dhe duke i ofruar ndihmën e duhur mjekësore”.

“Konziliumi i SHSKUK dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në vazhdimësi janë duke e monitoruar gjendjen shëndetësore të pacientëve të spitalizuar”, deklarojnë nga SHSKUK.

Valmir Elezi, zëdhënësi për media nga KQZ, ka bërë se kjo nuk ka ndodhur në QNR por në hapësirën e Ministrisë së Infrastrukturës.

“Sa për sqarim, ngjarja nuk ka ndodhur në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, por në hapësirën e ndërtesës së Ministrisë së Infrastrukturës ku është i vendosur shërbimi votues”.

“Puna në QNR është duke vijuar me normalitet”, ka thënë Elezi për klankosova.tv.

Klan Kosova kupton se mbi 3700 zarfa kanë qenë nga Serbia që kanë ardh në Kosovë për t’u numëruar.