Vazhdon greva në arsim, paralajmërohet shtyrje e provimeve të afatit të janarit

Greva e punëtorëve të arsimit do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave, duke filluar me ngritjen e 30% të koeficienteve në të gjithë sistemin arsimor, kështu është shprehur sot për “Indeksonline”, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari. I pari i SBASHK-ut ka theksuar se kohëzgjatja e grevës nuk varet nga mësimdhënësit por nga vendimet që priten të merren në raport me ta. “Greva do të vazhdojë derisa të realizohet kërkesa jonë në lidhje me pagat dhe koha e zgjatjes së grevës nuk varet nga ne por nga veprimet konkrete të institucioneve të Kosovës. Kërkesa jonë dihet është që s’paku 30% të ngrihen koeficientet në tërë sistemin arsimor duke filluar nga çerdhet, mësimdhënësit e shkollave fillore dhe të mesme dhe të gjithë të punësuarit në universitetet e Kosovës” është shprehur Jashari. Duke qenë se pjesë e grevës janë bërë edhe universitetet, Jashari ka theksuar se edhe provimet do të shtyhen. Sipas tij, organet udhëheqëse të universitetit do të njoftojnë edhe në lidhje me shtyrjet duke mos i lënë studentët që të humbin afatin për shkak të grevës. “Dihet me ligjet e grevës që do aktivitet i institucioneve pezullohet, organet udhëheqëse të universitetit duke e parë këtë gjendje do t’i shtyjnë afatet e provimeve, dhe do të shtyhen edhe afatet që studentët konkurrojnë për bursa. Pra, organet udhëheqëse e dinë situatën brenda universitetit dhe ata do ti shtyjnë ato patjetër sepse pa u bë ndonjë punë mund të konsiderohet edhe si thyerje e grevës, por në universitet studentët nuk do të humbin të drejtën e provimeve por nga brenda institucionet afatet patjetër që do të shtyhen” ka thënë Jashari për Indeksonline. Ky i fundit nuk është i informuar në lidhje me disa profesor në Universitete të cilët po i mbajnë ligjëratat dhe konsultimet e tyre normalisht. “Në tërë sistemin arsimor diku 90% janë anëtar të SBASHK-ut dhe vendimi është i saktë dhe konkret, çerdhet dhe arsimi fillor dhe i mesëm dhe të gjitha institucionet dhe ka edhe shkolla të cilat nuk kanë qenë anëtare tanimë janë pjesë e grevës. Përveç që janë në grevë janë bërë edhe anëtare aktive të SBASHK-ut por përndryshe unë do të marr informacione nga Këshilli Grevist i Universiteti dhe me të kryer orari i grevës do të shohim a ka raste të tilla do t’i cekim”. E ata që humbin më së shumti në kohën e grevës janë nxënësit dhe studentët, të cilët tash e tre ditë nuk kanë ndjekur mësimet. Në rast se veprojnë institucionet sa më shpejt, Jashari ka theksuar se në koordinim me MASHT-in mund të merret vendimi për zëvendësimin e orëve. Por nëse vendimi vonon të merret, Këshilli Drejtues i SBASHK-ut mund të vendosë që orët të mos zëvendësohen fare. “Institucione e Kosovës që nga muaji maj i kemi lajmëru dhe jemi mundu që të zgjidhim çështjet, ata duhet ta dinë që kur ka grevë nuk ka mësim. Ata duhet të veprojnë sa më shpejt në mënyrë që të kemi sa më pak ditë greve, në bazë të rezultateve ne me MASHT-in ulemi bisedojmë dhe shohim për kohën e humbur nëse ne do vazhdojmë kështu dhe ata kanë mundësi t’i realizojnë kërkesat tona, Këshilli drejtues do të marr vendim mos të kompensohen fare orët” ka përfunduar kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari. Rikujtojmë që grevën në arsim e ka kundërshtuar Këshilli i Nxënësve të Kosovës, të cilët përmes një reagimi kanë thënë se ajo po ua cenon të drejtën për arsim.