Vazhdon djegia e pyjeve në Kosovë

Vetëm brenda 24 orëve të fundit, në tërë vendin janë regjistruar pesë raste të zjarrvënies.

Avazi i djegieve të pyjeve në vendin tonë nuk ka të ndalur, shkruan lajmi.net.Sipas raportit të Policisë së Kosovës, vetëm gjatë ditës së djeshme janë regjistruar pesë raste të zjarrvënies.

Në fshatin Busavatë të Kamenicës, në ora 19:50 është raportuar se është djegur një mal rreth 1.5 hektar dhe se ende nuk dihet pronari i ligjshëm.

“Njësitë policore, zjarrfikësit dhe disa qytetarë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke u munduar ta shuajnë zjarrin. Sipas njësive në terren dëmet janë të mëdha”, thuhet në njoftimin e Policisë, shkruan më tutje lajmi.net.

Rasti tjetër është regjistruar në Shtime gjatë ditës së djeshme në ora 14:48.Siç bën të ditur Policia, në rrethana ende të panjohura rreth 30 hektarë shkurre dhe barishte janë përfshirë nga zjarri.Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësia e zjarrfikësve për lokalizim të zjarrit.

Po ashtu edhe në fshatin Dragaçinë në Duhël është raportuar se në thellësi të këtyre fshatrave në ora 16:07, është përfshirë nga zjarri mali, i cili është në pronësi, por që pronari nuk i dihet, shkruan më tutje lajmi.net.

“ Njësitet relevante policore si dhe njësiti i zjarrfikësve i janë përgjigjur rastit por nuk kanë mundur të intervenojnë. Gjithashtu raportohet se nuk ka rrezik për banorët e dy fshatrave dhe për shtëpitë e tyre”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Edhe në qytetin e Prizreni në rrugën “Janina”, është regjistruar një rast, ku një person ka raportuar se zjarri ka kapluar një pjesë të oborrit të fermës së pulave pronë e viktimës ku janë djegur disa pajisje të fermës, njësiti i zjarrfikësve ka dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë lokalizuar zjarrin.

Në fshatin Baballoq të Deçanit, në ora 18:20 gjatë ditës së djeshme, se një person ka raportuar në Polici se nga pakujdesia e anëtarëve të familjes së tij, të cilët po digjnin disa mbeturina, është përfshirë nga zjarri stalla e tij.

“Rastit janë përgjigjur njësitet relevante policore si dhe njësiti i zjarrfikëseve të cilët kanë lokalizuar dhe kanë shuar zjarrin. Nuk raportohet për dëme në njerëz dhe të arrestuar”, thuhet në njoftim.

Në të gjitha këto zjarre që janë shkaktuar kohëve të fundit në vendin tonë, nuk është raportuar për ndonjë person të arrestuar.