Vazhdon bojkoti i mësimit në shkollën “Daut Bogujevci”, paralajmërohet edhe protestë

Prindërit e nxënësve të shkollës ‘Daut Bogujevci’ të komunës së Fushë Kosovës, kanë thënë se do ta vazhdojnë bojkotin e mësimit nëse kërkesa e tyre për të mësuar në objektin e ri shkollor ‘Mihal Grameno’ nuk realizohet.

Sipas këshillit të prindërve nga kjo shkollë, komuna e Fushë Kosovës ua ka mbyllur dyert për të gjetur zgjidhje lidhur me shfrytëzimin e objektit të ri mësimor.

Me këtë rast, ky këshill mbështetjen për zgjidhjen e problemit e kanë parë tek Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi i cili i pranoi sot në një takim të mbajtur në këtë Institucion.

Prindërit treguan hallin e tyre duke kërkuar që nxënësit e kësaj shkolle, procesin mësimor ta zhvillojnë në objektin e ri shkollor “Mihal Grameno”.

“Ne vazhdojmë të mbetemi në bojkot derisa kërkesa jonë të realizohet që të gjithë nxënësit të mësojne në objekt të ri”, tha Erkan Sylejmani nga Këshilli i Prindërve pas takimit që patën me ministrin.

Teksa ministri Bytyqi u premtoi atyre se të enjten do të takohet me Komunën e Fushë Kosovës për të gjetur ndonjë zgjidhje.

Mësimi në këtë shkollë ende nuk është duke u zhvilluar dhe mbi 320 është numri i listës së prindërve të nënshkruar për bojkotim të mësimit.

NJOFTIMI I PLOTË:

Njoftim për protestë nga shkolla e mesme dhe e ulët “Daut Bogujevci”-Fush” Kosov”

Te nderuar prindër,

Pas takimit me ministrin e arsimit i cili është zotuar se do te na përkrah në kërkesat tona dhe se të enjten do të kërkojë të takohet me përfaqësues te K.K të Fushë Kosovës.
Ne kemi thirrur takim me prindër në të cilin kanë marr pjesë një pjesë e konsiderueshëm dhe në fund të takimit është vendosur që të vazhdohet me bojkot deri në realizimin e kërkesave tona, njëzëri është vendosur që të premten me datë 21.09.2018 nëse përfaqësuesit e K.K te Fushë Kosovës nuk reflektojnë karshi kërkesave tona ne së bashku me ju DO TË MBAJMË PROTESTË PARA KOMUNËS së bashku me fëmijët tanë nga ora 9:00-9:30.

Duke kërkuar mirëkuptimin tuaj
Me respekt
Keshilli i Prinderve