Vazhdojnë sulmet e regjimit të Asadit dhe Rusisë në Idlib

Të paktën shtatë civilë kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve ajrore të regjimit sirian të Bashar al-Asadit dhe Rusisë në zonën e deeskalimit të Idlibit, raporton Anadolu Agency (AA).

Avionët e regjimit të Asadit dhe Rusisë që nga mëngjesi i sotëm kanë bombarduar një qytezë dhe fshatra të Idlibit dhe provincës Hama.

Në sulmet kanë humbur jetën shtatë civilë dhe janë plagosur 15 të tjerë. Helmetat e Bardha thanë se numri i të vdekurve mund të rritet.

– Situata në Idlib

Në mars të vitit 2015, opozita vendosi kontroll mbi Idlibin, popullsia e të cilit është rritur në katër milionë për shkak të migrimeve të fundit në atë zonë. Në të njëjtën kohë, Idlibi është një nga zonat që më së shpeshti sulmohet nga forcat e regjimit.

Opozitarët ushtarakë, garantues i të cilëve është Turqia në kuadër të marrëveshjes historike të arritur më 4-5 maj 2017 në Astana në të cilën Idlibi dhe rrethina u shpallën zonë e deeskalimit, më 17 shtator të vitit 2018 tërhoqën armët e tyre të rënda si rezultat i një marrëveshjeje tjetër midis Turqisë dhe Rusisë në Soçi.

Megjithatë, forcat e regjimit vazhdojnë pa ndërprerë sulmet e tyre pavarësisht marrëveshjes së Soçit mes Turqisë dhe Rusisë, e cila kishte për qëllim të forcojë armëpushimin në Idlib. Në kuadër të Marrëveshjes së Astanas, Rusia është vendi garantues i regjimit të Asadit.

Sulmet e fundit të regjimit dhe mbështetësve të tij u intensifikuan teksa më 25-26 prill, në kryeqytetin e Kazakistanit, Nursultan, po mbahej takimi i 12-të midis Turqisë, Rusisë dhe Iranit.

Burimet e mbrojtjes civile kanë njoftuar se 234 civilë, përfshirë 59 fëmijë, janë vrarë në muajin maj nga sulmet ajrore dhe tokësore të regjimit sirian, grupeve të huaja terroriste të mbështetura nga Irani dhe Rusia.

Ndërkaq, mbi 553 mijë civilë janë zhvendosur si pasojë e bombardimeve që nga nënshkrimi i marrëveshjes midis Rusisë dhe Turqisë në muajin shtator.