Vazhdojnë sulmet e regjimit të Asadit dhe Rusisë në Idlib

Në sulmin e kryer nga regjimi i Bashar al-Asadit ndaj vendbanimeve brenda zonës për uljen e tensioneve në Idlib të Sirisë humbën jetën 5 civilë ndërsa 27 të tjerë janë plagosur, raporton Anadolu Agency (AA).

Ndërkohë Rusia, mbështetësja e regjimit, ka vendosur në objektiv një ambulancë dhe qendrën e Mbrojtjes Civile (Beretat e Bardha). 

Regjimi i Asadit dhe avionët luftarakë të Rusisë, që nga orët e mëngjesit po ndërmarrin sulme ajrore në rajonet Xhisir esh Sugur, Han Shejhun dhe në fshatin Kefir të cilët ndodhen brenda rajonit për uljen e tensioneve në Idlib.

Sipas informacioneve të marra nga burimet e Mbrojtjes Civile në sulmet e regjimit të Asadit kanë humbur jetën 5 civilë.

Observatori vëzhgues i opozitarëve për avionët ka deklaruar se në sulmet që kanë kryer avionët rusë, janë goditur një ambulancë dhe Qendra e Mbrojtjes Civile në rajonin Han Shejhun. Derisa qendra ka mbetetur jashtë shërbimit, ende nuk ka asnjë informacion në lidhje me të vdekurit dhe të plagosurit në sulm.