Vazhdojnë bastisjet e hebrenjve fanatikë në Mesxhid al-Aksa

Më shumë se 120 hebrenj fanatikë, në shoqërim të policisë izraelite kanë kryer bastisje në Mesxhid al-Aksa, e cila ndodhet në pjesën e Qytetit të Vjetër të Kudsit Lindor të pushtuar, raporton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i Administratës së Vakëfeve Islame të Kudsit, Firas Dibs për AA tha se 124 hebrenj fanatikë, në shoqërim të policisë izraelite kanë hyrë në oborrin e Harem-i Sherifit nga porta El Megaribe në pjesën jugperëndimore të Mesxhid al-Aksasë.

Dibs tha se në mesin e personave që kanë bastisur Mesxhid al-Aksanë gjenden edhe 20 persona nga inteligjenca izraelite.

Ai shtoi se policia izraelite edhe mbrëmë në orët e vona ka bastisur Mesxhid al-Aksanë.

Vizitat e këtilla të hebrenjve radikalë kanë qenë shkaktarë për rritjen e tensioneve në rajon dhe përplasjeve midis palestinezëve dhe policisë izraelite.

Mesxhid al-Aksa që ndodhet në Kudsin Lindor të pushtuar është kibleja e parë muslimanëve.

Nën këtë kompleks ku krahas Xhamisë së Kibles dhe Kupolës së Shkëmbit ndodhen edhe muze, medrese dhe oborri i madh, hebrenjtë janë duke kryer gërmime me arsyetimin se aty “ndodhen mbetjet e Tempullit të Sulejmanit”, duke pretenduar të drejtën për të kryer rite fetare në Aksa.