Varrim me thirrje antishqiptare

Herët në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës erdhën autobusët dhe automjetet që sillnin personat që do të merrnin pjesë në ceremoninë e varrimit të Kostandin Kacifas.

Policia shqiptare ka kontrolluar pothuajse të gjitha mjetet dhe ka kthyer mbrapsht disa persona që mbanin me vete simbole iredentiste.

Me pelegrinët ishte edhe eurodeputetja qipriote e njohur për qëndrimet e saj ndaj shqiptarëve.

Në Bularat u mblodhën të gjithë dhe ata qëndronin në sheshin kryesor dhe pranë banesës së Kacifas. Përveç flamujve grekë të vendosur në çdo rrugë, u shfaqën edhe simbole iredentiste, jo vetëm për të ashtuquajturin Vorio Epir, por edhe për Maqedoninë.

Pas ceremonisë fetare, turma e të ardhurve nga Greqia ka shoqëruar arkëmortin e Kacifas me këngë nacionaliste dhe thirrje antishqiptare.

Turma shpalosi edhe një flamur të madh ku shkruhet Vorio Epir, ndërsa degjoheshin edhe thirrjet “Shqiptarë, largohuni! Kjo është Greqi”.

Kostandin Kacifas u vra nga forca elitë RENEA pas disa orësh rrethim, ditën kur në Bularat do të kujtohej “JO”-ja greke e Luftës së Dytë Botërore. Kacifas, me armë në dorë, qëlloi mbi policinë shqiptare. Kjo ngjarje u komentua në të gjitha ekstremitetet e saj, ndërsa po shfrytëzohet për t’i dhënë më shumë jetë tensioneve etnike të cilat Athina dhe Tirana zyrtare po mundohet t’i zbusin.

Ministria e Jashtme greke dhe ajo e Mbrojtjes, para ceremonisë së varrimit, i bënë thirrje qytetarëve grekë që kishin shkuar në Gjirokastër për vetëpërmbajtje.

SHPËRNDAJE