Vapa rrezikon bletët, prodhimi i mjaltit në Evropë ndikohet nga i nxehti

Zyrtarisht, në Evropë ka rekorde të reja nxehtësie. Temperaturat në Gjermani, Holandë e Belgjikë e kapërcyen vijën e kuqe për të dytën herë brenda 24 orëve dhe Parisi pati ditën e tij më të nxehtë të shënuar ndonjëherë.

Vala e dytë e të nxehtit ekstrem në Evropën perëndimore pas asaj të muajit të qershor, po kthehet në një shqetësim për njerëzit, por në Francë, pasojat e këtij përvëlimi janë duke i vuajtur edhe bletët.

Në kohën kur të enjten, termometri në kryeqytetin francez shënoi 42,6 gradë Celsius, rritësit e tyre në Sologne japin alarmin: temperaturat e larta po i lënë bletët pa nektar duke i detyruar me raste të braktisin kosheret.

Për prodhuesit e mjaltit, ky sezon mund të jetë katastrofik. Bletët nuk po mbledhin asgjë! Në koshere, nuk kanë ç’të hanë dhe rritësit po përpiqen t`i ushqejnë me shurup që të mos ngordhin.

Problemet, sipas vendasve, prekin të gjithë ekosistemin e zonës.

Sipas FRANCE 24, niveli i vdekshmërisë tek bletët është rritur në 30% krahasuar me 5% që ishte në vitet 1990. Këto insekte konsiderohen jetike për ushqimin në botë, sepse ndihmojnë pjalmimin e bimëve.

SHPËRNDAJE