Vakuumi institucional krijon terren të përshtatshëm për fushatën anti-Kosovë të Serbisë

Kosova është pa qeveri të plotfuqishme në anën tjetër Serbia po vazhdon fushatën e saj të ashpër kundër pavarësisë së Kosovës.

Pas lobimit të madh për ç’njohje të Kosovës që doli të jetë edhe skandal që lidh blerjen e ç’njohjeve me shitjen e armëve dhe ministrin e jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq si akterin kryesor, liderët serbë kanë mohuar edhe masakrat e Reçakut, shkruan lajmi.net.

Përveç këtyre, Kosova ka dështuar radhazi të bëhet pjesë e organizatës më të madhe të policisë në botë, INTERPOL.

E gjendja në të cilën tani është Kosova ka krijuar terren më të përshtatshëm për Serbinë që të ushtroj politikën e saj të jashtme destruktive karshi Kosovës.

Jetlir Zyberaj, këshilltari i Ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacollit është shprehur se Serbia e lufton Kosovën në baza ditore.

Por, sipas tij, qeveria duhet të themelohet dhe t’i marrë përsipër përgjegjësitë.

“Serbia është vendi që e lufton Kosovën në baza ditore. Natyrisht që qeveria duhet të themelohet sa më shpejtë sepse qytetarët kanë votuar për këtë. Kosova duhet sa më shpejtë ta ketë qeverinë e re që të marr përsipër përgjegjësitë”, tha Zyberaj për lajmi.net.

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve integruese, Avni Mazreku për lajmi.net është shpprehur se politika e jashtme e Kosovës është një nga dështimet e mëdha të vendit.

“Sa i përket dimensionit të politikës së jashtme, përfaqësimit të Kosovës përveç strukturave oligarkike dhe shkallës së lartë të krimit të organizuar dhe rrezikon me radhit Kosovën si shtet i dështuar, politika e jashtme është dështim tjetër”, tha Mazreku për lajmi.net.

Më tutje, Mazreku tha se ky dështim nuk ka ardhur tani dhe se Serbia terrenin e vet të favorshëm për politikë anti-Kosovë e ka krijuar shumë moti.

“Sa i përket politikës së jashtme, mendoj se qeveria në ardhje në çfarëdo formacioni duhet ta sheh si interes nacional dhe jo si politikë të zbutjes së papunësisë. Normalisht Serbia terrenin e vet të favorshëm nuk e ka fituar që nga zgjedhjet e 6 tetorit, por gjatë këtyre 6-7 viteve të kaluara në mungesë totale të politikës së jashtme”, tha Mazreku për lajmi.net.

Kosova për 2 vitet e fundit ka arritur të sigurojë vetëm 3 njohje derisa janë raportuar për afër 20 çnjohje shumica e të cilave nuk janë konfirmuar.

Është dhënë vërejtja gjithashtu se mos-formimi i qeverisë po ndikon negativisht për Kosovën edhe në sferën ndërkombëtare – në krijimin e kushteve për Serbinë që të intensifikojë fushatën e ashpër kundër Kosovës.