Vajza misterioze qan disa net në një varrezë në Turqi – për të zgjidhur sekretin e ngjarjes vendosen kamera dhe angazhohet policia (Foto)

Një vajzë e re që shfaqet në një varrezë dhe qan përpara një varri për pesë netë rresht, ka shkaktuar një trazim në qytetin qendror turk të Çorumit.

Siç shkruajnë mediat turke, përcjell Telegrafi, punonjësit e një varreze të vendosur në lagjen Çepni të qytetit panë vajzën e paidentifikuar, që besohet të jetë 17 ose 18 vjeç, në natën e 26 prillit, duke qarë pranë një varri.

E njëjta vajzë u pa pranë varrit të Fatma Ç, e cila vdiq në vitin 1982, edhe në disa nga ditët e ardhshme.

Çështja u shndërrua në një ndjesi lokale, duke bërë që zyrtarët të lënë një shënim tek varri më 30 prill, duke i kërkuar vajzës t’i kontaktojë nëse ka nevojë për ndihmë.

Policia nisi një operacion kërkimi për të gjetur vajzën, pasi vendasit ishin kureshtarë dhe të frikësuar nga incidenti.

Ndërkohë shumë vendas arritën në vendngjarje për të parë nëse vajza do të vinte përsëri tek varri, por më pas u larguan nga policia.

Megjithatë, vajza, e veshur me rroba të zeza dhe këpucë të kuqe, erdhi përsëri te varri, por u largua në errësirë ndërsa policia po përpiqej ta kapte.

Gjithashtu të mërkurën, policia duhej të vendoste një pengesë sigurie rreth varrezave për të mbajtur larg rreth 300 kalimtarët kureshtarë, të cilët prisnin nëse vajza do të vijë përsëri.

Madje një grup të rinjsh u përpoqën të hynin në varreza përmes murit me një shkallë, duke shkaktuar një përleshje të shkurtër me policinë dhe katër persona të arrestuar.

Veç këtyre është bërë e ditur se një kamerë sigurie dhe një fotoaparat u instaluan pranë varrit nga Bashkia Çorum për të kapur pamjet e vajzës dhe për ta identifikuar atë.

Në fund thuhet se edhe të mërkurën policia kreu një kërkim të plotë në varrezat dhe zonat përreth për tetë orë, por nuk mundi të gjente ndonjë provë. /Telegrafi/