Ushtria e ardhshme e Kosovës pritet t’i ketë 8 mijë ushtarë

Miratimi në Qeveri i tri ligjeve që kanë të bëjnë me tranzicionin e FSK-së në Ushtri, shënon përpjekjen e rradhës së institucioneve të Kosovës për përfundimin e këtij procesi.

Pas miratimit në Qeveri, projektligjet në fjalë janë dorëzuar në Kuvend, ku edhe pritet që të vendosen në rend dite, për t’u votuar më pas nga deputetët e Parlamentit, shkruan lajmi.net.

E gjatë procesit të tranzicionit të FSK-së, pritet që të ketë ndryshime edhe në strukturën e kësaj force.

Në një përgjigje për lajmi.net nga ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës, është bërë e ditur që në bazë të dinamikës së planifikuar të ngritjes dhe zhvillimit të FSK-së, parashihet edhe rritja e numrit të pjesëtarëve.

“…po, parashihet edhe rritja e numrit sipas dinamikës së planifikuar të ngritjes dhe zhvillimit të FSK-së”, thuhet në përgjigjen e MFSK-së.

Po ashtu, nga kjo ministri bëhet e ditur që numri i përgjitshëm i pjesëtarëve Ushtrisë së Ardhshme të Kosovës pritet të jetë rreth 8 mijë.

Nga ky numër, 3 mijë prej tyre do të jenë pjesëtarë rezervë e 5 mijë të tjerë do të jenë trupa aktive.

Optimist që këto projektligje do të votohen nga deputetët e Kuvendit të Kosovës është shprehur kryeministri Haradinaj.

Ai ka thënë se deputetët duhet të jenë me një qëndrim të unifikuar, dhe të votojnë për një vendim që siç e cilëson ai është pritur tash e gati 19 vite.

Kujtojmë, se kundër transformimit të FSK-së në Ushtri ka dalur Lista Serbe.