Urdhërohet heqja e billbordeve me fotografi të Haradinajt me mbishkrimin 100% shtet

Pak ditë pasi Qeveria mori vendim për vënien e taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe, në pikat kryesore të kryeqytetit u vendosën billborde gjigante ku falënderohej kryeministri Ramush Haradinaj.

Pankartat që dukeshin se papritmas filluan zgjedhjet nuk dihet se kush i vendosi. Zyra e Kryeministrit distancohet nga to, duke kërkuar menjëherë që të hiqen, ndërsa institucionet tjera deklarohen se nuk dinë asgjë rreth tyre.

 

 

Të premten Prishtina u stolis me fotografitë e kryeministrit për një vendim qeveritar ndërsa nuk dihej se vepër e kujt ishin pankartat që ngjanin në ato të zgjedhjeve.

Pankartat “Tash jam 100% shtet. Falëmnderit kryeministër”, mbuluan Hotelin Grand, Pallatin e Rinisë, dhe rrugët në Prishtinë , pak ditë pasi Haradinaj mori vendim për vënien e taksës ndaj produkteve serbe.

Autori i këtyre shkrimeve nuk dihet, edhe përkundër se janë vendosur në prona publike.

Tutje Zyra e kryeministrit potencon se vendimi ka qenë mbi baza institucionale, ndërsa e quajnë të papranueshme tendencat për ta shfrytëzuar vendimin për taksën. Sipas përgjigjes së kësaj zyreje, dikush mund ta ketë shfrytëzuar vendimin për qëllime të caktuar.

“Vendimi per taksen ka qene vendim institucional për te cilin tashme kemi dhënë arsyetimin dhe faktet tona si Kosove dhe rrjedhimisht cdo tendence për ta shfrytëzuar ketë vendim për qëllime te caktuara, është i papranueshëm për ne”.

Pankartat u vendosën në objektet kryesore të Prishtinës, për të cilat ka përgjegjësi  Agjencia Kosovare e Privatizimit.