Urdhër arresti për presidentin e Bolivisë në dorëheqje

Presidenti i Bolivisë në dorëheqje, Evo Morales, tha se një “urdhër arresti i paligjshëm” është lëshuar për të dhe se shtëpia e tij është sulmuar nga një turmë, pas dorëheqjes së tij të detyruar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në mediat sociale, Morales tha se “planifikuesit e grusht shtetit” kanë rrëzuar përtokë demokracinë e Bolivisë.

Lideri opozitar Luis Fernando Camacho, president i Komitetit Civil Pro Santa Cruz, konfirmoi në Twitter se një urdhër arresti është lëshuar për Moralesin.

Ai tha se forcat e sigurisë po kërkojnë presidentin në dorëheqje dhe se ushtria kishte konfiskuar aeroplanin presidencial.

Zgjedhjet presidenciale u mbajtën në Bolivi më 20 tetor dhe Morales fitoi 47.8% të votave, duke siguruar fitore në rrethin e parë të zgjedhjeve. Mirëpo, lideri i opozitës pretendoi se bëhej fjalë për “mashtrim”, ndërsa disa parti politike u bënë thirrje mbështetësve që të dalin në rrugë.

Pasi opozita bëri thirrje për anulimin e zgjedhjeve, Morales njoftoi se do të mbahen zgjedhje të reja, mirëpo lideri i opozitës tha se do të vazhdojnë me protestat derisa të mbahen zgjedhje pa Moralesin.

Të dielën, shefi i ushtrisë së Bolivisë, Williams Kaliman, i bëri thirrje Moralesit të japë dorëheqje në një adresim mbarëkombëtar të transmetuar drejtpërdrejt.

Morales njoftoi dorëheqjen e tij dhe se një “grusht shtet” është zhvilluar kundër tij. Ai tha se ka vendosur në këtë mënyrë që të parandalojë politikanët Camacho and Carlos Mesa, ish- president i Bolivisë, të japin udhëzime të tjera për mbështetësit e tyre për të sulmuar Bolivianët.