Unifikimi diplomatik midis Kosovës e Shqipërisë, në pikëpyetje

Ende pa filluar me zbatimin e marrëveshjes për unifikimin e misioneve diplomatike e konsullore midis Kosovës dhe Shqipërisë, në Prishtinë është shtuar konfuzioni nëse një marrëveshje e tillë është e nevojshme dhe e duhur.

Hezitimet për këtë marrëveshje, janë pikërisht përbrenda Ministrisë së Jashtme të Kosovës, e cila edhe e kishte arritur marrëveshjen me Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë.

Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit të Jashtëm, tashmë në largim, Behgjet Pacolli, thotë se marrëveshja e arritur është ratifikuar sipas nenit 18.2 të Kushtetutës nga presidenti i Republikës së Kosovës dhe është shpallur në gazetën zyrtare.

Ai tha për Radion Evropa e Lirë, se në momentin e shpalljes në gazetën zyrtare, kjo marrëveshje, në bazë të nenit 19 të Kushtetutës ka marrë fuqinë e ligjit të zbatueshëm në rendin juridik të Republikës së Kosovës.

“Sa i përket fillimit të zbatimit të marrëveshjes në fjalë, dy ministrat kanë filluar veprimet për zbatim para dy javësh dhe kanë autorizuar Sekretarët e Përgjithshëm, që të fillojnë konkretizimin e çështjeve, zbatimin e marrëveshjes, pasi që zbatimi i marrëveshjes kërkon nxjerrjen edhe të protokolleve shtesë. Lidhur me këtë, MPJ e Kosovës ka bërë një analizë të zbatimit të kësaj marrëveshje dhe këtë analizë do të ndajë me Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë”, ka deklaruar Zyberaj.

Por, një qëndrim tjetër shpreh zëvendësministri në dorëheqje, Anton Berisha, sipas të cilit, marrëveshjet e tilla nuk i ndihmojnë Kosovës.

“Nuk mundet ministri i Jashtëm t’ia delegojë kompetencat shtetërore një shteti tjetër, pavarësisht që është Shqipëria në pyetje ose cilido shtet qoftë. Do të thotë, duhet të ketë një vendim të një niveli më të lartë që t’i jap kompetencat e shtetit. Kështu që ajo më shumë ka qenë një lloj folklorizmi i mbuluar me fjalë të mëdha. E në fakt ajo (marrëveshja për unifikim) është si të them, mosnjohje e vetvetes”, tha Berisha.