UNESCO miraton zyrtarisht rezolutën për Al-Aksa

JERUSALEM (AA) – Bordi ekzekutiv i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) ka miratuar të martën zyrtarisht rezolutën me të cilën kundërshton secilën lidhje hebreje me kompleksin e xhamisë Al-Aksa (Haram al-Sharif) në Jerusalem, raporton Anadolu Agency (AA).

Vendet anëtare të UNESCO-s javën e kaluar votuan për vendimin me 24 vota ‘për’, gjashtë ‘kundër’ dhe 26 abstenime.

Rezoluta që emërton Izraelin “forcë okupatore” i bënë thirrje të rikthejë “status quo”-në historike e cila ka sunduar deri në vitin 2000, sipas së cilës organizata jordaneze për përkrahje të muslimanëve “Muslim Endowments” dhe organizata “Al-Aqsa Affairs” kanë gëzuar të drejtën ekskluzive mbi kompleksin e xhamisë.

Tekst rezoluta gjithashtu dënon ashpër “shtimin e agresionit izraelit dhe masat ilegale” kundër organizatës së lartpërmendur si dhe dënon ashpër shkeljet e të drejtës së muslimanëve për të kryer ritet fetare në xhami.

Zëdhënësi qeveritar palestinez, Youssef al-Mahmoud përmes një deklarate të shkruar tha se rezoluta e UNESCO-s paraqet “qortim për okupimin izraelit dhe praktikat e saj”, të cilat sipas tij kanë për qëllim të zhbëjnë identitetin arab dhe musliman nga Jerusalemi.

Zëdhënësi i Hamasit, Sami Abu Zuhr e quajti rezolutën “fitore të kauzës palestineze”, dhe uroi UNESCO-n për qëndryeshmërinë përballë presioneve izraelite.

Pas votimin të javës së kaluar për rezolutën, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se “të thuash se Izraeli nuk ka lidhje ‘Malin e Tempullit’ dhe Murin Perëndimor është si të thuash se Egjipti nuk ka asnjë lidhje me piramidat apo Kina nuk ka lidhje me Murin e Madh të Kinës”, tha ai.

Për muslimanët, Al-Aksa përfaqëson vendin e tretë të shenjtë në botë. Hebrenjtë, nga ana e tyre, i referohen zonës si “Mali i Tempullit”, duke pretenduar se ishte vendi i dy tempujve hebreje në kohët e lashta.