Unë çikës teme s’ia pres krahët!

Shkruan: Shqipe Palloshi-Zumberi

Unë çikën teme nuk e msoj me nënshtrim! Ajo ka me lind si qenie e lirë, e plotëpushtetshme për mendimet, vendimet e veta, për trupin e për shpirtin e vet. Ka me e ditë që Zoti e ka kriju si qenie të lirë, edhe nuk guxon me pranu kurgjë ma pak se kjo, nuk guxon me ba kompromis me lirinë e saj.

Çika jeme ka me e ditë që lumturinë e saj mundet me e kriju veç ajo vet. Nuk ka me prit ndonji princ me kalë të bardhë me ardh me e shpëtu nga mjerimi finansiar, dëshpërimi emocional a shoqëror. Kur të jetë e gatshme me u martu, ka me e bë këtë me plot vetëdije e vetëdëshirë, veç atëherë kur beson se është e gatshme t’bahet bashkëshorte e nanë e mirë, e përkushtuar. Veç atëherë kur t’mendon se ka mbjellë mjaftueshëm fara në vete për me lulëzu pastaj për t’zgjedhurin e saj, e fëmijët e tyre.

Por unë çikën teme nuk e msoj me nënshtrim! Ajo ka me ditë me qëndru e fortë për besimet e idealet e veta. Nuk ka me u kompleksu pse është ndryshe prej turmës, edhe atëherë kur turma ka me e mbajtë në gojë për moskonformizmin e saj. Edhe atëherë kur mundet me pas frikë për t’ardhmen e saj, ajo ka me qëndru e fortë për atë çka beson.

Ajo ka me msu se Zoti është i bukur dhe e do të bukurën, dhe ka me e ditë që prej gjërave që e lartësojnë njeriun si qenie është shija për të bukurën. Për rrjedhojë, ajo ka me u kujdes për bukurinë e trupit, pa ra pre e standardeve e shthurrëse që i serviren gjithkund. Mbi të gjitha, ajo ka me e ditë se bukuria e vërtetë është bukuria e shpirtit e mendjes, dhe ka me u përpjek me e zbukuru mendjen me dije e shpirtin me mirësi, për me e prek esencën e t’qenit njeri.

Çikës teme nuk kam me ia pre flatrat qysh ua kanë pre nanat ndër gjenerata çikave t’veta. Se çika jeme nuk ka me qenë prona jeme, e nuk guxon me u bë as prona e dikujt tjetër. Përveç krijesë e Zotit dhe zonjë e vetes! Nuk guxon me e pa veten si diçka ma pak se kjo. Çika jeme ka me msu se duhet me u kujdes për zemrat e njerëzve, me i gëzu njerëzit, me falë prej zemrës, kohës e jetës së vet për me i lumturu ata. Ka me msu se s’ka punë ma t’fisme se me e gzu nji zemër, se me e lumturu nji shpirt. Ama, ajo kurrë nuk ka me iu nënshtru tekave boshe, tendencioze e injorante të dikujt për ta nënshtru qenien e saj veç pse është çikë, grue a nuse. Ajo ka me ditë ma mirë se kaq!

Çikës teme unë s’kam me i thanë mos me lujt me vetura se ato janë për djem. Ajo ka me lujt me anije kozmike, me stetoskop, me letra e lapsa, me aeroplana. Se ajo ka me msu me besu në fuqinë e mendjes së saj, dhe ka me u ushqy me dashuri e dëshirë për me e eksploru universin e me i zbulu t’fshehtat e tij. Ajo s’ka me ra pre e tendencës së shoqërisë për me e bë me besu se aftësitë e saj intelektuale janë inferiore ndaj atyre të një burri.

Ajo ka me qenë e etur për dije, ka me qenë ambicioze për me e ndërtu veten me mundin e shkathtësitë e veta, për me u bë e zonja e vetes e për me i shtu mirësi njerëzimit me arritjet e veta. Ajo ka me e kuptu që Zoti e ka kriju si mrekulli. E ka bë ndihmëse në procesin e krijimit të jetës së re. Edhe në momentin që vendos të bahet nanë, ajo ka me dhënë çdo gjë prej vetes për me u kujdes për mirëqenien fizike, shpirtërore, mendore të krijesave që ka sjellë në jetë. Kur t’bahet nanë, ajo ka me e ditë se fëmija rritet pa gjithçka, por jo edhe pa dashuri e vëmendje. Kur të bahet bashkëshorte, ka me e ditë se elementi thelbësor për me e lumturu t’zgjedhurin e saj, është vëmendja e pandame e saj ndaj çdo aspekti të qenies së tij. Ka me ditë me fliju prej vetes për lumturinë e të dashurit, por asnjëherë prej dinjitetit e vetrespektit të saj. Ajo ka me e ditë se familja është mënyra si ruhet shenjtëria e njerëzimit dhe me urtësi e dashuri ka me kriju nji fole t’ngrohtë ku kanë me gjetë prehje t’dashurit e zemrës së saj.

Ajo ka me e ditë se vlerë i ka dhënë Zoti, dhe se vlera e saj nuk ulet as rritet në raport me njerëzit.  Ka me fol n’emër të së drejtës e nuk ka me hesht për padrejtësitë. Çika jeme ka me e ditë sa e fortë është, sepse është çikë. Ajo ka me besu se mundet me e ndryshu botën, edhe ka me ia mësy kësaj.

Çika jeme është prototip i çikave të s’ardhmes. Çikat tona janë mrekulli, e mrekullitë s’mundesh me i shtrëngu në grusht, as me ua shujt dritën.

Autore: Shqipe Palloshi-Zumberi