U shpall i pafajshëm, Limaj pritet si hero në vendlindje

Pasi u shpall i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë, kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj është pritur në mënyre madhështorë në vendlindjen e tij në Malishevës.

Limaj ka thënë se sot i erdhi fundi këtij persekutimi të pa shembullt, i cili zgjati mbi 7 vjet e 10 muaj, i orkestruar nga individë të cilët në pamundësi të ballafaqohen me argumente politike dhe devotshmëri, për t’i shërbyer vendit krijuan kurthe pas shpine.

Limaj tha se ka kënaqësinë që të rikonfirmojë sonte atë që ka thënë më 28 prill të vitit 2010, se kudo që kanë marrë përgjegjësi shtetërore së bashku me bashkëpunëtorët e tij kanë, punuar për zhvillim të vendit.

“Sonte me kënaqësi dal para qytetarëve për të rikonfirumuar atë që e kam thënë që nga dita e parë, më 28 prill të vitit 2010, se unë bashkëpunëtorët e mi, familja ime me krejt qenien dhe shpirtin tim, kemi shërbyer edhe kemi punuar për vendin tonë, kudo që kemi qenë, kudo që kemi marrë përgjegjësi shtetërore dhe se me dashuri të madhe dhe angazhim të pa kompromis, kemi hapur horizonte të reja të zhvillimit të vendit tonë dhe se kemi shërbyer me devotshmëri vendit tonë, dhe ashtu siç kam thënë më 28 prill dhe as sot as kurrë askush nuk mund të gjejë asnjë cent të keqpërdorur nga unë, nga bashkëpunëtorët e mi, nga familja ime”, tha ai.

Limaj tha se nuk u dorëzua, sepse ishte i bindur se me devotshmëri dhe pastërti i ka shërbyer vendit dhe çdo qytetari të Kosovës.

Sipas tij, brenda natës e kthyen nga ministri më i suksesshëm, në njeriun më të urryer në vend edhe pse në asnjë moment nuk e ka shkelur ligjin, përkundër ai dhe bashkëpunëtorët e tij ishin pishtar të rendit dhe të ligjit.