U helmua 14 vite më parë, ish-presidenti tregon çka ndodhi

Ish-presidenti ukrainas Viktor Yushchenko shpreson se Europa do të hapë sytë përpara kërcënimit që buron nga Rusia pas helmimeve me gaz nervor në Salisbury të Anglisë. 14 vjet më parë, Yushchenkou helmua me dioksin gjatë garës për Presidencën e vendit, ku rival kryesor kishte Viktor Yanukovych e mbështetur nga Rusia.

Në një intervistë për BBC-në, ai shpjegoi se çfarë ndodhi atëherë.

“Kur mbërrita në shtëpi dhe putha time shoqe, më tha: Seç ke një si shije metalike në buzë. Kisha qenë për darkë me kreun e shërbimit sekret të Ukrainës dhe zëvendësin e tij. Nga sa rezultoi më vonë prej hetimeve, helmi ishte hedhur në orizin që na u shërbye në tavolinë”, tha Viktor Yushchenko, ish-president i Ukrainës

Yushchenkou u dërgua me urgjencë në Vjenë ku mjekët zbuluan se kishte gëlltitur substancën e rrezikshme kimike dioksin.

“Në ditën e dytë apo të tretë të qëndrimit atje, trupi im nisi të fryhej. Koka u rrit në mënyrë dramatike. Dhimbja u përhap gjithandej. Pastaj nisi inflamacioni dhe qelbi”, tha Yushchenkou.

Pamja e Yushchenkou, që në fund arriti t’i fitonte zgjedhjet, ndryshoi rrënjësisht.

Pas 14 vjetësh, ai ende pret rezultatin përfundimtar të hetimit. Më vjen keq kur shoh se Europa është treguar kaq e verbër, thotë ai lidhur me sulmin e Salisbury-t; dhe që vendet e saj nuk kanë shumë solidaritet kur vjen fjala tek politikat e Rusisë.

Mbi 20 shtete të botes, mes të cilave dhe Shqipëria, reaguan ndaj ngjarjes duke dëbuar dhjetëra diplomatë rusë, dhe Moska nga ana e saj, u përgjigj me të njëjtën monedhë.