Turqia planifikon të rinovojë 66 xhami të shkatërruara në Siri

Fondacioni i Turqisë, Dijanet ka njoftuar se planifikon ndërtimin dhe rindërtimin e dhjetëra xhamive në Siri që janë dëmtuar rëndë gjatë luftës në atë vend, raporton Anadolu Agency (AA).

Mustafa Tutkun, drejtor i Fondacionit për AA deklaroi se planifikojnë të rindërtojnë dhe riparojnë 66 xhami në bashkëpunim me Qeverinë e Turqisë.

Ai tha se projektet do të zbatohen në vendet që janë çliruar nga terroristët në kuadër të operacionit “Mburoja e Eufratit”, duke përfshirë Conabbey, Azaz dhe Jarabulusin.

Disa xhami tashmë janë hapur pas riparimeve të tërësishme.

“Kemi përfunduar riparimet në xhaminë Kebir, Nur dhe Hasan në Jarablus dhe kemi rihapur dyert e tyre për lutje”, tha Tutkun.

Ai shtoi se Fondacioni në bashkëpunim me Drejtorinë e Çështjeve Fetare ka rinovuar 127 xhami në lindje dhe juglindje të Turqisë, të dëmtuara nga sulmet e organizatës terroriste PKK.

Siria që nga viti 2011 është përfshirë nga lufta që kur qeveria e presidentit aktual Bashar al-Asad me dhunë shtypi protestat paqësore kundër sundimit të tij.