Turqia: Përshëndesim palestinezët që luftojnë për liri

“Unë i përshëndes të gjithë; nga fëmijët e vegjël që marshojnë në rrugët e Gazës për liri dhe nder, te burrat dhe gratë që i rezistojnë pushtimit të Jerusalemit, e deri te njerëzit e guximshëm që kundërshtojnë izolimin racist dhe çnjerëzor të palestinezëve. Ne e dëgjojmë zërin tuaj, qindra-miliona myslimanë janë me ju”, deklaroi Çavusoglu gjatë ceremonisë me rastin e 50-vjetorit të themelimit të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI), mbajtur në Xhidë të Arabisë Saudite.

Duke renditur arritjet e OBI-së, shefi i diplomacisë turke tha se një prej tyre është edhe mbledhja urgjente e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në një seancë speciale për mbrojtjen e statusit të Jerusalemit dhe të drejtave të Palestinezëve.

“Është detyrë e organizatës sonë të mbrojë nderin dhe të drejtat e të gjitha kombeve, pakicave dhe komuniteteve myslimane, përfshi këtu arakanasit, kashmirasit, ujgurët, turkoqipriotët, pakicat turke në Trakinë Perëndimore dhe myslimanët në Amerikën Veriore e Evropë”, shtoi ai.

Duke tërhequr vëmendjen se Turqia, si një anëtar aktiv i OBI-së, po i udhëheq këto përpjekje dhe po ngre zërin kundër islamofobisë, Çavusoglu nënvizoi: “Përkundër dallimeve tona, ne kemi arritur unitet në veprim.”

“Mbrojtja e pakicave dhe komuniteteve myslimane dhe lufta kundër islamofobisë janë dy çështje të lidhura me njëra-tjetrën, të cilave Turqia dhe anëtarët aziatikë (të OBI-së) u kushtojnë shumë rëndësi”, vijoi ai.

Pasi i uroi suksese Arabisë Saudite gjatë presidencës së radhës së Organizatës së Bashkëpunimit Islam, ministri turk i Punëve të Jashtme e mbylli fjalimin e tij me këto fjalë: “I lutem Allahut për ditën që do të takohemi së bashku për të festuar përvjetorët e ardhshëm të organizatës sonë në Palestinën sovrane dhe të pavarur, në qytetin e Jerusalemit.”

Turqia mori përsipër presidencën e radhës së OBI-së nga Egjipti në prill 2016 dhe ia dorëzoi atë Arabisë Saudite në maj 2019.