Turqia – Netanyahyut: Gënjeshtrat nuk t’i fshehin krimet

Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalın, tha se kryeministri i Izraelit sulmon presidentin Recep Tayyip Erdoğan pasi ky i fundit ia ekspozon atij pikëpamjet raciste ndaj arabëve dhe muslimanëve, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Shteti aparteid që ai drejton pushton tokën palestineze, vret gratë dhe fëmijët dhe burgos palestinezët në vendin e tyre”, ka shkruar Kalın në rrjetin social Twitter.

“Gënjeshtrat dhe presioni nuk do t’i fshehin krimet tuaja”, ka shtuar zëdhënësi presidencial.

Komentet e sotme erdhën pas një përplasjeje midis kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe zëdhënësit turk presidencial Ibrahim Kalın gjatë mbrëmjes së djeshme në Twitter.

Zëdhënësi i presidentit Erdoğan, Ibrahim Kalın, shkroi se ai e dënon afirmimin e Izraelit nga Netanyahu si shtet kombëtar i popullit hebre.

“Unë dënoj fuqimisht këtë racizëm dhe diskriminim të hapur. 1,6 milionë arabë/muslimanë jetojnë në Izrael. A do të reagojnë qeveritë perëndimore apo do të mbeten të heshtura nën presion?”, tha Kalın.

Deklaratës së tij i paraprinë disa postime të Netanyahut, i cili tha se Izraeli është “shtet komb jo i të gjithë qytetarëve të saj, por vetëm të popullit hebre”.

Netanyahu po ashtu ka sulmuar edhe presidentin turk Erdoğan, pasi ai e dënoi deklaratën e tij.