Turqia ndryshon rregullat e ushtrisë, ja çfarë janë ato

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan sot firmosi Ligjin e Shërbimit Ushtarak të ratifikuar sot në kuvend. Lajmin e ka dhënë përmes një shkrimi në Twitter zëdhënësi i partisë AKP, Ömer Çelik.

Ndryshe, gjithsej 335 ligjvënës sot miratuan ligjin në parlamentin e përbërë nga 600 deputetë, ndërkohë që kundër tij votuan 17 ligjvënës dhe dy të tjerë abstenuan.

Ligji i ri redukton periudhën e shërbimit ushtarak nga 12 në gjashtë muaj dhe po ashtu mundëson pagesën e shërbimit ushtarak për ata që mund ta përballojnë atë.

Sipas ligjit të ri, qytetarëve turq do t’u kërkohet të kalojnë një trajnim ushtarak njëmujor dhe do të përjashtohen nga shërbimi për pesë muajt e tjerë duke paguar 31 mijë lira turke (5.371 dollarë).