Turqia mbjell 11 milionë fidanë për të ardhme të gjelbër

Mbi 11 milion fidanë janë mbjellë të hënën në 2.023 lokalitete të ndryshme në të gjithë Turqinë, si pjesë e fushatës “Frymë për të ardhmen”, raporton Anadolu Agency (AA).

Fushata masive e pyllëzimit e Turqisë filloi me shpalljen e 11 nëntorit si Ditë Kombëtare e Pyjeve që do të shënohet çdo vit.

Vendi filloi festivalin e tij më të madh të mjedisit në orën 11:11 sipas kohës lokale, ashtu siç u njoftua më parë.

Presidenti Recep Tayyip Erdoğan, Zonja e Parë Emine Erdoğan, si dhe shumë ministra turq morën pjesë në ngjarjen masive të mbjelljes së pemëve në kryeqytetin Ankara.

“Më 11 nëntor, e cila u shpall si Dita Kombëtare e Pyllëzimit, ne do të mbjellim 11 milion fidanë”, tha presidenti Erdoğan në një postim në Twitter të dielën.

Ministria e Bujqësisë dhe Pylltarisë e Turqisë kishte filluar fushatën “Frymë për të ardhmen” në fund të tetorit.

Ministria mbjell fidanët në emër të qytetarëve që i adoptuan ato përmes internetit. Deri më tani janë adoptuar 13 milion pemë.

Përveç qeverisë, një numër i organizatave joqeveritare gjithashtu i janë bashkuar kësaj iniciative.