Turqia leje “të veçantë” pune mjekëve sirianë

Ministri i Shëndetësisë i Turqisë, Recep Akdağ, ka paralajmëruar leje të veçantë pune për mjekët sirianë dhe punonjësit sirianë të shëndetësisë në Turqi për t’u kujdesur për mysafirët sirianë dhe për t’u angazhuar për shërbimet e tyre shëndetësore, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në tryezën editoriale të AA-së, Akdağ fillimisht rikujtoi se Turqia ka pranuar katër milionë refugjatë nga Siria. I pyetur në lidhje me atë se në cilën fazë ndodhen shërbimet shëndetësore që u dedikohen refugjatëve sirianë, Akdağ tha se “E falënderoj Zotin që na ka dhënë një mundësi të këtillë që ne t’i mirëpresim ata.”

Akdağ tha se të tjerët nuk dëshirojnë një Turqi të fuqishme. Sipas tij, në një periudhë kur vendi është i rrezikuar nga sulme, ndihma dhe mbështetja që Turqia ua ofron të persekutuarve është elementi më i rëndësishëm që u ndihmon atyre të vazhdojnë.

“Unë besoj se sa më shumë që ne ofrojmë ndihmojmë të persekuturave dhe të shtypurve, aq më shumë Zoti na ndihmon neve”, shtoi ministri Akdağ.

Ai theksoi se të gjithë njerëzit në Turqi e dinë se pse Turqia i ndihmon, siç tha ai, vëllezërit nga Siria dhe janë të kënaqur nga kjo.

Ministri më tej vuri në pah se Turqia është duke plotësuar çdo nevojë të refugjatëve, duke filluar nga arsimi e deri te shëndetësia.

Në lidhje me mbështetjen që kanë ofruar për refugjatët, Akdağ tha se Turqia ka themeluar qendra shëndetësore në 16 qytete për migrantët duke ofruar shërbime pa pagesë për të gjithë sirianët.

“Mjekëve sirianë dhe punonjësve të shëndetësisë do t’u japim leje të veçantë pune për t’u kujdesur për mysafirët sirianë dhe për t’u angazhuar për shërbimet e tyre shëndetësore. Jemi në përgatitje të kësaj. Jemi duke i trajnuar ata dhe do t’i testojmë. Brenda tre muajve të ardhshëm këta persona do të jenë të gatshëm”, njoftoi ministri turk i Shëndetësisë, Recep Akdağ.

Ai më tej njoftoi se që nga viti 2015 Turqia ka trajtuar një milion të sëmurë krahas 22 milionë shërbimeve në poliklinika, duke shtuar se në këtë periudhë janë realizuar 850 mijë operacione dhe 200 mijë lindje.

Duke theksuar se në Greqi brenda një viti ka pasur 60 mijë lindje, Akdağ tha se “Ne në Turqi kemi realizuar lindjen e 200 mijë grave siriane shtatzënë.”

Ai po ashtu vuri në pah se bëjnë kontrolle të mira për ta parandaluar hyrjen e sëmundjeve ngjitëse në Turqi dhe se kanë bërë vaksinimin e fëmijëve. “Falënderoj Zotin që edhe krahas pritjes së kaq mysafirëve, nuk jemi ballafaquar me rrezik nga ndonjë sëmundje ngjitëse. Po i vaksinojmë të gjithë fëmijët sikurse fëmijët tanë”, tha Akdağ.