Turqia kundërshton SHBA-në: Askush nuk mund të na japë ultimatume

Turqia nuk do të tërhiqet nga vendimi i saj për të blerë sistemet e mbrojtjes raketore ruse S-400, pavarësisht paralajmërimeve të SHBA-së, se do të përjashtojë Ankaranë nga programi i pajisjes me aeroplanët F-35.

“Nuk them që Turqia do të blejë sistemet e mbrojtjes S-400. Turqia tashmë i ka blerë ato. Ne e kemi kryer këtë punë, kemi firmosur marrëveshjen me premtimin për një çmim të arsyeshëm dhe prodhim të përbashkët në të ardhmen. Sistemet S-400 do të vijnë në Turqi në një kohë të afërt,”  tha Presidenti Erdogan.

Kujtojmë se sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Patrick Shanahan, javën e shkuar i dërgoi një letër homologut të tij turk, duke paralajmëruar se Ankaraja do të largohet nga programi i furnizimit me aeroplanë F-35 dhe do të dëbojë të gjithë pilotët turq që trajnohen nga SHBA, pa përjashtuar sanksionet e tjera nëse vazhdon me planet për blerjen e sistemit rus, për të cilin Uashingtoni thotë se paraqet kërcënim për sistemin e aeroplanëve amerikanë.

Por, ministri turk Cavusoglu tha se askush nuk mund t’i japë ultimatume Turqisë.

“Askush nuk mund ti japë ultimatum Turqisë. Vendi nuk do të tërhiqet nga vendimet e saj me këto lloj letrash”, tha ai.

Avionët luftarakë amerikanë gjithsesi do të nisen drejt Europës, por me destinacion Poloninë. Donald Trump dhe presidenti polak Andrej Duda konfirmuan blerjen e 32 avionëve F-35.