Turqia, eksportuesi më i madh i miellit në botë

Turqia vitin e kaluar ka realizuar eksport të miellit me vlerë prej rreth një miliard dollarë, duke e bërë atë eksportuesin numër një në botë në këtë sektor, raporton Anadolu Agency (AA).

Këtë informacion për gazetarin e AA-së e konfirmoi presidenti i Federatës së prodhuesve të miellit (TUSAF) Eren Gunhan Ulusoy i cili tha se vitin e kaluar është realizuar eksport në vlerë prej rreth një miliard dollarë dhe se qëllimi për këtë vit është që eksporti të rritet edhe për 100 milionë dollarë.

“Turqia është eksportuesi i parë i miellit në botë ndërsa vitin e kaluar u eksportua miell në vlerë prej një miliard dollarë. Në të njëjtën kohë, Turqia përbën 20.25 përqind të totalit të eksporteve botërore të miellit”, tha Ulusoy.

Ai tha se numri i vendeve në të cilat Turqia eksporton miell në 10 vitet e fundit është rritur për 150 përqind dhe se në dhjetë vendet e para në atë listë janë Iraku, Sudani, Siria, Indonezia, Benini, Angola, Filipinet, Izraeli, Madagaskari dhe Gana.

Duke folur mbi prodhimin e grurit në botë, Ulusoy tha se ai varion rreth 730 milion ton. Sipas tij, në prodhimin e grurit kryeson BE-ja, Kina, India dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) ndërsa Turqia në vitet e fundit në mënyrë të konsiderueshme ka rritur prodhimin e grurit.

Ai gjithashtu tha se Turqia në vitin 2015 prodhoi rreth 22.6 milion ton grurë, gjë që e bën atë vendin e 11-të në botë. Turqia përbën tre përqind të prodhimit të përgjithshëm të grurit në botë.