Turqia dhe Rusia realizojnë patrullimin e katërt të përbashkët në veri të Sirisë

Trupat turke dhe ruse realizuan patrullimin e katërt të përbashkët tokësor në veri të Sirisë në kuadër të marrëveshjeje së dakorduar midis dy vendeve muajin e kaluar, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Turqisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Patrullimet u kryen në qytetin Darbasiyah, në lindje të lumit Eufrat.

“Njësitë ushtarake turke dhe ruse përfunduan patrullimin e tyre të katërt tokësore të përbashkët siç ishte planifikuar, të shoqëruar nga dronë dhe katër automjete të secilës forcë, në rajonin e Darbasiyah në lindje të Eufratit”, tha ministria në Twitter.

Patrullimi i parë tokësor i përbashkët u realizua më 1 nëntor dhe u zhvillua 40 kilometra në lindje të qytetit Ras al-Ayn dhe 30 kilometra në perëndim të qytetit Qamishli.

Më 5 nëntor, dy vendet realizuan patrullimin e dytë në një zonë në lindje të qytetit Ayn al-Arab dhe në perëndim të qytetit Tal Abyad.

Patrullimi i tretë u krye midis qyteteve Qamishli dhe Derik përgjatë një rute prej 88 kilometrash, rreth 10 kilometra larg nga kufiri turk, kurse ushtria turke për herë të parë kaloi në lindje të qytetit Qamishli, ndërkohë që shumë gazetarë ndoqën nga afër zhvillimet.

Më 9 tetor, Turqia nisi operacionin “Burimi i Paqes” për të eleminuar terroristët e YPG/PKK-së nga veriu i Sirisë në mënyrë që të sigurojë kufijtë e saj, për të ndihumar kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë dhe për të siguruar integritetin territorial të Sirisë.

Ankaraja kërkon që organizata terroriste YPG/PKK të tërhiqet nga rajoni në mënyrë që të mund të krijohet një zonë e sigurt për të hapur rrugën për kthimin e sigurt të rreth dy milionë refugjatëve.

Më 22 tetor, Ankaraja dhe Moska arritën një marrëveshje e cila parashihte që terroristët e YPG/PKK-së të tërhiqen sërish rreth 30 kilometra në jug të kufirit të Turqisë me Sirinë, kurse forcat e sigurisë nga Turqia dhe Rusia të kryejnë patrulla të përbashkëta.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40.000 njerëzve, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja. YPG është dega siriane e PKK-së.