Turqi, vriten dy ushtarë gjatë përleshjeve me terroristët e PKK-së

Së paku dy ushtarë në Turqi kanë vdekur gjatë një operacioni antiterrorist të forcave turke të sigurisë kundër organizatës terroriste PKK në qarkun Çukurca në juglindjen e largët të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).

Zyra e prefekturës së Hakarit njoftoi se operacioni në rajonin kufitar me Iranin është në vazhdim e sipër dhe se në të marrin pjesë forca tokësore dhe ajrore të përkrahura nga njësite speciale të ushtrisë.

Në njoftim thuhet se në përleshjet e mëngjesit të sotëm kanë humbur jetën dy ushtarë.

Aktivitetet terroriste të PKK-së janë intensifikuar në korrik të vitit të kaluar kurse forcat turke të sigurisë nga fundi i vitit të kaluar kanë ndërmarrë operacion të gjerë anti-terrorist në Turqi dhe në veri të Irakut.

Deri më tani në këto operacione kanë humbur jetën mbi 600 pjesëtarë të forcave turke të sigurisë, ndërsa janë vrarë më shumë se 7.000 terroristë.