Turpi te fëmijët, si duhet konsideruar?

Turpi është një emocion që duhet njohur e trajtuar me shumë vëmendje. Ky emocion po nuk u menaxhua mirë, gjymton direkt ndjeshmërinë dhe identitetin e njeriut në përgjithësi dhe të fëmijës në veçanti.

Kujdes prindër, kur i drejtoheni fëmijës tuaj me shprehjet: ” turp të kesh” apo “s’ke turp”! Shkencëtarët që merren me studimin e pasojave të turpit dhe të ndjenjës së fajit, e përcaktojnë gjendjen që përjeton fëmija, si zhbërje e deri vdekje e figurës prindërore. Kur fëmija përballet me një prind të ashpër, kërcënues dhe etiketues, që për çdo veprim e gjykon fëmijën, automatikisht aktivizohet ndjenja e turpit, e cila “tërheq” me vete dhe ndjenjën e fajit.

Këto dy ndjenja të gërshetuara së bashku bëjnë që fëmija të ndihet i vetëm dhe i tmerruar nga përballja me flakjen që prindi pa e ditur provokon me sjelljen e tij. Fëmija i pushtuar nga frika dhe pa rrugëzgjidhje, pasi prindërit për të janë ekzistenca e tij, pëson një gjendje të barabartë me ngrirjen. Kujdes prindër, e mira nuk nxitet e zhvillohet duke kërcënuar e etiketuar, por me durim, butësi dhe duke gjetur fjalën e kohën e duhur.

-Lira Gjika, Pediatre-