Tunizi, 51 të plagosur në trazirat gjatë një ndeshje futbolli

Përplasjet mes policisë dhe tifozëve në një ndeshje në “Champions League”-n e Afrikës, për pak sa nuk u kthyen në një tragjedi në Tunizi. Plot 51 persona kërkuan ndihmën mjekësore pas lëndimeve të marra, ndërsa 12 të tjerë u arrestuan nga policia, në kaosin që shpërtheu në 90-minutëshin mes Esperance dhe Primeiro de Agosto.

Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme tha se, 38 policë u lënduan nga goditjet me sende të forta të hedhura prej huliganëve, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Rades” të kryeqytetit Tunis.

Skuadra vendase Esperance fitoi 4-2 ndaj rivalëve nga Angola, duke u kualifikuar për në raundin tjetër. Por, më shumë sesa rezultati, ishin incidentet që e kithyen këtë sfidë në qendrën e vëmendjes.

Policia u detyrua të përdorte gaz lotsjellës, aq sa në një moment sfida u ndalua, pasi futbollistë nuk arrinin të shikonin as topin në fushën e lojës. Ndeshja u zhvillua në stadiumin olimpik “Rades”, me një kapacitet 60 mijë persona.