Trungu i familjes mbretërore saudite

 Familja mbretërore e Arabisë Saudite është vendosur sërish në qendër të opinionit botëror pas vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi më 2 tetor në Konsullatën Saudite në Stamboll.

Në mbarë median botërore, pyetja që më së shumti ka tërhequr vëmendjen ishte se sa mund të ketë qenë e involvuar familja mbretërore me vrasjen e gazetarit Khashoggi.

Duke u mbështetur në raporte jozyrtare të publikuara në Perëndim dhe botën arabe në vazhdën e këtyre zhvillimeve, ekipi i Anadolu Agency (AA) ka përmbledhur të dhënat në lidhje me anëtarët më të shquar brenda familjes al-Saud.

Në këtë aspekt, duhet theksuar se ekzistojnë shumë pak publikime zyrtare në lidhje me numrin e anëtarëve të familjes mbretërore, pozicionin e tyre në familje dhe pozitat e mundshme në të ardhmen.

Më e spikatur në këtë familje është e ashtuquajtura “Shtatëshja Sudairi”, me numrin më të madh të anëtarëve, në të cilin bëjnë pjesë shtatë fëmijët e themeluesit të Arabisë Saudite Mbretit Abdulaziz dhe Hussa bint Ahmed nga fisi Sudairi, si dhe pasardhësit e tyre.

Djemtë e Abdulazizit që njihen si “Shtatëshja Sudairi” janë: Mbreti Fahd, Mbreti Salman, Sultan, Ahmed, Turki, Nayef dhe Abdurrahman.

Nga Mbreti Abdulaziz e deri më sot, gjashtë fëmijët e tij kanë hipur në fron, ndërsa fëmijët e tjerë dhe nipërit kanë pasur pozita të rëndësishme në qeverisjen e shtetit.

Edhe pse nuk ka të dhëna të sakta, supozohet se në Arabinë Saudite ka mes pesë mijë dhe 15 mijë princa. Megjithatë, prej tyre, vetëm 34 princa anëtarë të “Këshillit të Besnikërisë” (Hayat al-Bayah) njihen si personalitete të spikatura. Qindra të tjerë krahas këtyre emërohen në detyra mjaft sensitive brenda shtetit.

Nga djemtë mbretër të Abdulazizit, pesë kanë humbur jetën (Saud, Khalid, Fahd, Abdullah, Faisal). Mbreti Salman vazhdon sundimin si mbreti i gjashtë nga djemtë e themeluesit të dinastisë.

Ndërkaq, nga princat më të njohur, jetën kanë humbur Sultan, Nayef, Abdurrahman dhe Turki. Ndërkaq, tetë princat që ende jetojnë janë si në vijim, radhitur sipas moshës: Bandar (djali më i madh i Abdulazizit – 85 vjeç), Talal, Mutaib, Abdulilah, Memduh, Mashhur, Ahmed, Mukrin (më i vogli – 73 vjeç).

Në vitin 2000, mediat raportuan për formimin e Këshillit të parë të Familjes Mbretërore prej 16-18 anëtarësh, mbledhja e parë e të cilit ishte mbajtur në Pallatin Es-Selam për të shqyrtuar çështjet familjare.

Princat më të dalluar në familjen mbretërore kanë marrë detyrën e princit të kurorës, princit të dytë i kurorës, zëvendëskryeministrit, ministrit të Brendshëm, kryetarit të inteligjencës dhe zëvendësministrit të Mbrotjes.

Posti i princit të kurorës ka dëshmuar një afrim të nipërve më të spikatur me postin e mbretit. Në periudhën mes viteve 2015-2017 në këtë pozitë gjendej Muhammed bin Nayef, ndërsa nga viti 2017 kjo detyrë i përket princit Muhammed bin Salman.

– Rritja e trungut familjar

Abdulaziz bin Abdurrahman bin Faisal al Saud, në vitin 1932 arriti të bashkojë rajonin e Nexhdit dhe Hixhazit nën emrin Arabia Saudite. Pas themelimit të shtetit, trungu i familjes mbretërore filloi të rritet.

Sipas raporteve jozyrtare të përgatitura nga burime arabe dhe perëndimore, emrat e shquar në trungun e familjes mbretërore janë si në vijim:

– Themeluesi Mbreti Abdulaziz Al Saud (1932-1953)

Sundoi mes viteve 1932-1953 dhe ndërroi jetë në moshë 77 vjeçe. Kishte 35 fëmijë nga 15 gra.

Hussa bint Ahmed al-Sudairi, një nga gratë më të njohura të tij, lindi shtatë fëmijë, në mesin e të cilëve bën pjesë edhe Mbreti Salman.

– Mbreti Saud bin Abdulaziz (1953-1964)

Për mbretin Saud bin Abdulaziz, i cili ishte mbret i Arabisë Saudite mes viteve 1953-1964, ka tregime të ndryshme, siç është ai është larguar nga detyra ose ia ka dorëzuar fronin vëllait të tij Faisal për shkak të sëmundjes.

Saud bin Abdulaziz, i cili ndërroi jetë në vitin 1969, kishte 35 djem dhe 55 vajza.

– Mbreti Faisal bin Abdulaziz (1964-1975)

Faisal bin Abdulaziz, i cili sundoi mes viteve 1964-1975, u vra në moshën 68 vjeçe nga nipi i tij, princi Faisal bin Musaid.

– Princi Saud bin Faisal

Ishte ministër i Jashtëm mes viteve 1975-2015. Ndërroi jetë në moshën 75 vjeçe. Ishte një nga emrat e spikatur të familjes mbretërore.

– Princi Turki bin Faisal

Turki bin Faisal (73), i cili ishte kryetar i inteligjencës saudite në periudhën 1977-2001, deri në vitin 2005 shërbeu si ambasador i Arabisë Saudite në Londër, dhe deri në vitin 2007 ambasador në Washington.

– Princi Khalid bin Faisal

Khalid bin Faisal është emir i Mekes dhe këshilltar i Mbretit Salman.

– Mbreti Khalid bin Abdulaziz (1975-1982)

Mbreti Khalid sundoi vendin mes viteve 1975-1982. U emërua princ i kurorës në vitin 1965. U ngjit në fron pas vdekjes së vëllait të tij Faisal. Kishte katër djem, Bandar, Abdullah, Fahd dhe Faisal.

Mbreti Khalid ndërroi jetën në moshën 69 vjeçe në vitin 1982.

– Mbreti Fahd bin Abdulaziz (1982-2005)

Ishte në krye të shtetit saudit mes viteve 1982-2005, ndërsa njihet si Sudairi i parë në udhëheqjen e shtetit. Fahd ka gjashtë djem me emrat Muhammed, Faisal, Sultan, Khalid, Saud dhe Abdulaziz.

Djali Abdulazizi, për të cilin u pretendua se “humbi jetën në mënyrë të planifikuar” vitin e kaluar për shkak të kritikave ndaj qeverisjes saudite, njihet si emri më i dalluar në mesin e vëllezërve.

Këto pretendim në lidhje me Abdulaziz bin Fahd janë mohuar nga qeveria saudite.

– Mbreti Abdullah bin Abdulaziz (2005-2015)

Mbreti Abdullah lindi më 1 gusht të vitit 1924, ndërsa nëna e tij ishte Fahda bin Asi Al Shuraim. Ai u ngjit në fron pas vdekjes së Mbretit Fahd më 1 gusht të vitit 2005.

Me ardhjen e Abdullahut në detyrë, pjesëtarët e krahut Sudairi mbetën larg qeverisjes. Mbreti Abdullah qeverisi dhjetë vite, ndërsa ndërroi jetë më 23 janar të vitit 2015 në moshën 91 vjeçe.

Princi Turki (47), një nga bijtë e tij më të njohur, në vitin 2013, gjatë sundimit të babait të tij, u emërua zëvendës emir i Riadit, ndërsa në vitin 2014 emir. Me ardhjen e Mbretit Salman në vitin 2015, u largua nga detyra. Princi Turki ishte në mesin e të arrestuarve në fushatën e famshme të arrestimeve në vitin 2017.

Ndërkaq, djali tjetër, Princi Mutaib (65), ishte ministër i Gardës Nacionale të Arabisë Saudite.

– Mbreti Salman bin Abdulaziz (2015-…)

Mbreti Salman kaloi në krye të shtetit me vdekjen e Mbretit Abdullah në janar të vitit 2015.

I lindur në vitin 1935, Mbreti Salman është mbreti i dytë nga “Shtatëshja Sudairi”.

“Sudairët” erdhën sërish në qeverisje me ardhjen e Mbretit Salman, pasi kishin ngelur larg saj me ngjitjen në fron të Mbretit Abdullah.

– Princi Muhammed bin Salman

Princi Muhammed bin Salman (33), djali më i përfolur i Mbretit Salman, u zgjodh kryetar i Gjykatës Mbretërore në vitin 2015. Më vonë u emërua si princ i dytë i kurorës. Pas shkarkimit të kushëririt Muhammed bin Nayef, ai u caktua si princ i kurorës në vitin 2017. Në të njëjtën kohë është zëvendëskryetar i Këshillit të Ministrave dhe ministër i Mbrojtjes.

Djemtë e tjerë të tij janë emiri i Medines Faisal bin Salman (47), kryetari i Këshillit të Turizmit dhe Trashëgimisë Kulturore Sultan bin Salman (62) dhe ambasadori saudit në Washington Khalid bin Salman (30), i cili u kthye në vendin e tij pas rastit Khashoggi.

Djemtë e tjerë të njohur të themeluesit të mbretërisë, Abdulazizit, të cilët nuk arritën të ngjiten në fron janë si në vijim:

– Princi Sultan bin Abdulaziz (vdiq: 2011)

Sultan bin Abdulaziz nga familja Sudairi, në periudhën 2005-2011 ishte princ i kurorës dhe zëvendëskryetar i Këshillit të Ministrave. Ai ndërroi jetën në vitin 2011.

Djemtë e tij më të spikatur janë ish-ministri i Mbrojtjes Salman (42), emiri i Tebukut Fahd (68), ish-kreu i inteligjencës dhe ambasador në SHBA më 1983-2005 Bandar (69), si dhe ish-zëvendësministri i Mbrojtjes Khalid (70).

– Princi Nayef bin Abdulaziz (vdiq: 2012)

Nayef bin Abdulaziz, po ashtu nga familja Sudairi, nga viti 1975 ishte ministër i Brendshëm. Nga fundi i vitit 2011 e deri në vdekjen e tij nga mesi i vitit 2012, ishte princ i kurorës dhe zëvendëskryetar i Këshillit të Ministrave. Ndërroi jetë në moshën 77 vjeçe.

Djemtë e tij janë Saud (62), i cili ishte kryetar i Gjykatës së Kurorës në vitet 2011-2013; Muhammed (59), i cili ushtroi detyrën e ministrët të Brendshëm në periudhën 2012-2017 dhe princ i dytë i kurorës dhe një kohë të shkurtër edhe princ i kurorës dhe kryetar i Këshillit të Sigurisë dhe Politikave në 2015-2017. U shkarkuan nga të gjitha detyrat në vitin 2017 nga ana e Mbretit Salman.

– Princi Ahmed bin Abdulaziz (gjallë)

Princi 76-vjeçar Ahmed bin Abdulaiz, po ashtu nga krahu Sudairi i familjes, për 37 vite ishte zëvendësministër i Brendshëm. Po ashtu, për katër vite ishte përgjegjës për vendet e shenjtë në Meke dhe një kohë të shkurtër në vitin 2012 shërbeu si ministër i Brendshëm. Princi Ahmed ka një djal me emrin Abdulaziz (55).

Sipas të dhënave në burimet perëndimore, princi Ahmed është larguar dy herë nga froni saudit. Hera e parë ishte kur Mbreti Abdullah, në vend të princit Ahmed, emëroi vëllain tjetër, Mukrinin, si princ i kurorës, ndërsa hera e dytë kur Mbreti Salman miratoi vendimin që detyra e princit të kurorës, në vend të fëmijëve të themeluesit të mbretërisë, t’i kalohet nipërve.

– Princi Abdurrahman bin Abdulaziz (vdiq: 2017)

Abdurrahman bin Abdulaziz po ashtu ishte pjesë e familjes Sudairi. Në periudhën mes viteve 1983-2011 shërbeu si ministër i Mbrojtjes. Në vitin 2017 ndërroi jetë në moshën 86 vjeçe. Ai ka katër djem, Muhammed (emri i Riadit në vitin 2017), Faisal, Saud dhe Fahd.

– Princi Talal bin Abdulaziz (gjallë)

87-vjeçari Talal ka ushtruar disa detyra në Mbretërinë e Arabisë Saudite. Ishte në mesin e mbështetësve më të mëdhenj të aktiviteteve të rikonstruktimit në brenda familjes mbretërore.

Në vitin 2011, princi Talal dha dorëheqje nga Këshilli i Besnikërisë dhe së bashku me katër vëllezër, formoi Lëvizjen e Princave të Lirë. Ai bënte thirrje për transformimin e mbretërisë në një sistem parlamentar dhe mbështeste idenë e tërheqjes së familjes Saud nga qeverisja.

Djali i tij, miliarderi Waleed bin Talal (63) ishte në mesin e të arrestuarve vitin e kaluar gjatë fushatës së arrestimeve për korrupsion. Ndërkaq, në vitin 2015, mediat saudite kishin shkruar për votimin e djalit tjetër të princit Talal, Khalid bin Talal, në favor të emërimit të Muhammed bin Salmanit si princ i dytë i kurorës.

– Princi Turki al Thani bin Abdulaziz (vdiq: 2016)

Princi Turki al Thani ishte nga krahu Sudairi. Ka shërbyer si zëvendësministër i Mbrojtjes dhe Aviacionit. I larguar nga detyrat në vitin 1983, princi Turki ndërroi jetë në moshën 84 vjeçe në vitin 2016.

Turki al Thani ka gjashtë djem, Sultan, Khalid, Faisal, Abdurrahman dhe Ahmed.

– Princi Mukrin bin Abdulaziz (gjallë)

Djali më i vogël i Mbretit Abdulaziz që ende jeton është princi Mukrin bin Abdulaziz, i cili mes viteve 2005-2012 ishte kryetar i inteligjencës saudite.

Në mars të vitit 2014, u emërua princ i dytë i kurorës nga ana e Mbretit Abdullah. Pas vdekjes së Mbretit Abdullah, ishte njoftuar se ai është larguar me vetëdëshirë nga detyra më 29 prill të vitit 2015.

Hacer Başer / Zeynep Hilal Karyağdı / Hamdi Yıldız / Gülşen Topçu

SHPËRNDAJE