Trump: Po shqyrtojmë të gjithë skenarët e mundshëm në Venezuelë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, deklaroi se vendi i tij po shqyrtonte gjithë skenarët e mundshëm në trajtimin e situatës aktuale në Venezuelë, por nuk foli për një ndërhyrje ushtarake, raporton Anadolu Agency (AA).

“Unë mendoj se ka një sërë zgjidhjesh, një sërë opsionesh të mundshme, prandaj po shohim të gjitha skenarët” u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, pas takimit me presidentin kolumbian, Ivan Duque Marquez.

I pyetur nëse SHBA-të konsiderojnë një ndërhyrje ushtarake në Venezuelë, Trump tha se “asnjëherë nuk flet për këtë”.

Deklarata e Trump është në kundërshtim me komentet e tij të mëparshme, kur i tha televizionit CBS se përdorimi i ushtrisë, është një variant në përballje me shtetin amerikano-latin.

Vizita e Duque në Uashington, është në vazhdën e shtytjeve të vazhdueshme diplomatike dhe ekonomike amerikane, për të detyruar presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro, të heqë dorë nga pushteti, dhe të njëjtin t’ia dorëzojë kreut të Asamblesë Kombëtare, Juan Guaido, i cili me 23 janar u vetëshpall president i përkohshëm i vendit.

Ditë më parë, ministri i Jashtëm i Venezuelës, Jorge Arreaza, në një konferencë për mediat në selinë e Kombeve të Bashkuara në New York, kërcënoi SHBA-të duke thënë se “ajo që ndodhi në Vietnam do të ndodhë edhe në Venezuelë. Vetëm populli amerikan mund ta ndalë këtë çmenduri të Trumpit”.

Para deklaratës së Trumpit, Eliot Engel, në cilësi të kryetarit të Komitetit për Marrëdhënie të Jashtme në Kongresin Amerikan, përjashtoi mbështetjen eventuale për një ndërhyrje ushtarake në Venezuelë, duke kritikuar deklaratat e Trupmit në këtë drejtim.

“Brengosem për kërcënimin ushtarak të presidentit, i cili lë të kuptohet se intervenimi ushtarak amerikan mbetet një opsion. Dëshiroj të bëj të qartë, ndërhyrja ushtarake amerikane nuk është një skenar”, tha kongresisti.

SHBA-të, shumica e vendeve në Amerikën Latine, dhe mbi 20 vende evropiane kanë dhënë mbështetjen e tyre për Guaidon, por Maduro refuzon thirrjet që ai të japë dorëheqjen, duke këmbëngulur se Uashingtoni po orkestron një grusht shteti.

SHPËRNDAJE