Trump përdor shprehjen “të llastuar” për BE-në dhe Kinën

Presidenti amerikan, Donald Trump, pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në Shtëpinë e Bardhë duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve ai i ka cilësuar Bashkimin Europian (BE) dhe Kinën me shprehjen “të llastuar”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur rreth raundit të dytë të negociatave që kanë nisur sot në Washington mes zyrtarëve të Departamentit Amerikan të Thesarit dhe zyrtarëve kinezë, Trump ka vënë në dukje se ka “dyshime” se negociatat mund të përfundojnë me sukses.

“A do të jenë negociatat të suksesshme? I vërej me dyshim. Sepse Kina është bërë shumë e llastuar. Bashkimi Europian është bërë shumë i llastuar, po ashtu edhe vende të tjera. Sepse gjithmonë kanë marrë 100 për qind çfarë kanë dashur nga SHBA-ja. Por ne nuk mund të lejojmë që të ndodhë më”, tha Trump.

Ai ka pretenduar se Bashkimi Evropian (BE), Japonia, Koreja e Jugut, dhe vendet e tjera për vite me radhë kanë nxjerrë “kova të mbushura” me para nga SHBA-ja. Trump tha se “Tregtia për SHBA-në ka qenë gjithmonë një rrugë me një drejtim”.

SHBA-ja është “mashtruar” për vite nga Kina, ka theksuar Trump duke shtuar më tej se “Unë nuk fajësoj Kinën. Unë fajësoj liderët e mëparshëm të vendit tonë”.

Trump në fillim të muajit mars njoftoi se çeliku dhe alumini i importuar do të jenë subjekt i tarifave doganore me 25 dhe 10 për qind.

Pas kësaj edhe Kina njoftoi se do të vendoste 15 deri në 25 për qind taksë për 128 produkte me një vlerë rreth 3 miliardë dollarë që importohen nga SHBA-ja.

Po ashtu edhe qeveria e Donald Trump në fillim të muajit prill njoftoi se do të vendoste tarifë shtesë doganore me 25 për qind për rreth 1.300 produkte të importuara nga Kina dhe të cilat arrijnë një vlerë 50 miliardë dollarë.

SHPËRNDAJE