Trump ndryshon variant. Rrethim e jo mur në kufirin me Meksikën

Muri që Donald Trump kërkon të ngrejë në kufirin me Meksikën do të jetë një rrethim me shtylla hekuri, e jo një mur çimentoje siç ai kishte premtuar.

Shtyllat duhet të jenë të lyera me bojë të zezë, në mënyrë që të thithin nxehtësinë gjatë verës dhe ta bëjnë metalin shumë të nxehtë, në rast se ndokush do të përpiqet të kapërcejë rrethimin.

Kështu duket se u ka thënë presidenti Trump këshilltarëve të Shtëpisë së Bardhë, drejtuesve të Departamentit të Sigurisë së Brendshme dhe inxhinierëve ushtarakë, sipas “Washington Post”. Por, jo vetëm kaq.

Majat e shtyllave duhet të jenë jo të rrëmbullakëta, por me majë, në mënyrë që të bëhet më e vështirë dhe e rrezikshme përpjekja për të kaluar ilegalisht kufirin. Këto kërkesa të reja të presidentit, me shumë gjasa do të rrisin koston e ndërtimit dhe mirëmbajtjes.

Plani mund të çojë edhe në kërkesa për fonde shtesë të kontribuesve nga buxheti i shpenzimeve ushtarake. Një marrëveshje që u arrit në shkurt në Kongres, për të evituar një mbyllje të re të qeverisë amerikane, parashikonte 1.4 milionë dollarë për financimin e murit në kufirin me Meksikën, shumë më pak nga 5.7 miliardët e kërkuar nga Trump.

Sidoqoftë, presidenti ka përsëritur angazhimin e tij për të ndërtuar një mur të ri 644 km të gjatë, brenda vitit të ardhshëm, e ka njoftuar në Shtëpinë e Bardhë edhe planin e ri të emigracionit, që do të privilegjojë meritën në vend të çështjeve familjare.

Aktualisht, dy të tretat e “Green Card” lëshohen për ribashkime familjare dhe vetëm 12 për qind për meritë.

SHPËRNDAJE