Trump ndryshon mendje: Për sa kohë jam president ligji për armët nuk preket

Presidenti amerikan Donald Trump i ka siguruar anëtarëve të Shoqatës Kombëtare të Pushkëve se të drejtat e tyre për zotërimin e armëve nuk do të preken.

Duke folur në një konventë në Dallas, Teksas, Trump deklaroi: “Të drejtat tuaja në Amendamentin e Dytë nuk do të kërcënohen për sa kohë unë do të jem presidenti juaj”.

Kreu i shtetit gjithashtu ritheksoi propozimin e bërë prej tij pas masakrës në një shkollë në Florida, që mësues të trajnuar të lejohen të mbajnë armë.

Përfaqësuesit demokratë në Kongresin Amerikan kanë propozuar ndryshime në politikën e armëve, përfshi këtu shtimin e kontrolleve dhe një ndalim të pushkëve të llojit ushtarak, gjë që sipas tyre nuk do të prekte Amendamentin e Dytë të Kushtetutës amerikane për armëmbajtjen.

Që prej masakrës në shkollën e Floridas, ku 17 persona mbetën të vrarë, Trump premtoi se ai do të merrte masa konkrete për ndalimin e armëve.

Por mesazhi i fundit i presidentit është në kontrast me komentet e mëparshme të bëra prej tij.