Trump: Irani së shpejti do të dëshirojë të flasë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, përgënjeshtroi raportimet për konflikt të brendshëm në administratën e tij për sa i përket politikës për Iranin dhe u shpreh i sigurt se “Irani do të dëshirojë të flasë së shpejti” me Washingtonin, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Lajmi i rremë Washington Post (WP) dhe lajmi edhe më i rremë New York Times (NYT) shkruajnë lajme sikur ka ndonjë konflikt brenda në lidhje me politikën time të fortë në Lindjen e Mesme. Përbrenda nuk ka asnjë konflikt”, ka shkruar Trump në Twitter në vazhdën e rritjes së tensioneve midis SHBA-së dhe Iranit, duke reaguar ndaj raportimeve në median amerikane në lidhje me Iranin.

“Shprehen ide të ndryshme dhe në fund unë jap vendimin përfundimtar. Është një proces shumë i thjeshtë. Vlerësohen të gjitha palët, mendimet dhe qëndrimet. Unë jam i sigurt se Irani do të dëshirojë të flasë së shpejti”, ka thënë Trump.

Trump së fundmi kishte përgënjeshtruar edhe lajmin e publikuar një ditë më parë nga gazeta NYT, e cila shkroi se “SHBA do të dërgojë 120 mijë ushtarë në rajon kundër kërcënimit të Iranit”.

“Lajmi i NYT është një gënjeshtër absolute. Këtë (Dërgimin e trupave në rajon) do ta bëja me siguri, por nuk kemi planifikuar një gjë të tillë. Unë shpresoj që nuk do të detyrohemi ta planifikojmë këtë. Po ta kishim planifikuar, do të dërgonim më shumë trupa”, ishte shprehur Trump.

Në raportimin e NYT të bazuar në zyrtarë të lartë amerikanë anonimë, u tha se Sekretari i Mbrojtjes në detyrë, Patrick Shanahan, ka paraqitur para këshilltarëve të lartë të sigurisë së Trump-it një prezantim “që përfshinte edhe planin për dërgimin e 120 mijë trupave ushtarake në rajon kundër kërcënimit të Iranit”.