Trump do të ndërpresë fondet për zjarret në Kaliforni:Çdo vit e njëjta gjë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kërcënoi se do të ndërpresë fondet federale për zjarret në Kaliforni.

Përmes një postimi në Twitter, Trump fajësoi guvernatorin demokrat të Kalifornisë, Gavin Newsom, duke thënë se ka bërë “një punë të tmerrshme në menaxhimin e pyjeve”.

“Çdo vit, kur Kalifornia digjet, ndodh e njëjta gjë dhe ai kërkon ndihmë nga qeveria federale. Nuk ka më”, shkroi Presidenti në Twitter.

Trump ka bërë një kërcënim të ngjashëm edhe vitin e kaluar, kur zjarret më vdekjeprurëse në historinë e vendit kanë lënë të vdekur së paku 86 njerëz.

Kujtojmë se afro 100,000 hektarë tokë janë shkatërruar nga zjarret e javëve të fundit në Kaliforni, ndërsa mijëra njerëz janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre.

Sipas një studimi të Akademisë Kombëtare të Shkencave në SHBA, shkak kryesor mbeten temperaturat e rritura për shkak të ngrohjes globale, pavarësisht se sa i lagësht ka qenë dimri i mëparshëm./Opinion.al