Trump deri të martën do të prezantojë planin për “Marrëveshjen e Shekullit”

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump ka deklaruar se do të bëjë të ditur planin për “Marrëveshjen e Shekullit” para vizitës që kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu që do të zhvillojë në Shtëpinë e Bardhë të martën, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gjatë udhëtimit të tij për në Florida, Trump dha deklarata për gazetarët në avion duke vlerësuar “Marrëveshjen e Shekullit” e cila njihet si Plani i Paqes për Lindjen e Mesme.

“Ne do të njoftojmë këtë plan pak para kësaj vizite. Kam biseduar shkurtimisht edhe me palestinezët. Por, me kalimin e kohës do të flasim edhe me ata. Marrëveshja ofron shumë inkurajime për palestinezët. Jam i sigurtë se fillimisht do të reagojnë, por kjo marrëveshje është shumë pozitive për ata”, tha Trump duke iu referuar vizitës që kryeministri izraelit Netanyahu do të zhvillojë të martën.

Trump tërhoqi vëmendjen se marrëveshja në fjalë është një marrëveshje shumë e vështirë dhe shtoi: “Më pëlqen të bëj marrëveshje. Edhe kjo është me të vërtetë një marrëveshje e madhe dhe me të vërtetë e dobishme”.

Ndërkohë në një deklaratë me shkrim nga Shtëpia e Bardhë thuhet se kryeministri izraelit Netanyahu dhe lideri i Aleancës “Kaltër dhe Bardhë”, Benny Gantz do të qëndrojë në Washington më 28 janar për të diskutuar me qeverinë amerikane mbi planin e “Marrëveshjes së Shekullit”.

Plani “Marrëveshja e Shekullit”

Edhe pse ende nuk janë bërë të ditur detajet rreth planit për “Marrëveshjen e Shekullit” për të cilën pretendohet se e ka përgatitur presidenti amerikan Trump me qëllim për të “gjetur zgjidhje” në çështjen izraelito-palestineze, në mediat ndërkombëtare ka disa informacione lidhur me këtë.

Sipas lajmeve, marrëveshja parashikon pika në disfavor të palestinezëve, të tilla si që Kudsi t’i dorëzohet plotësisht Izraelit dhe një pjese e madhe e vendbanimeve ilegale hebreje të vazhdojnë praninë e tyre në Bregun Perëndimor.

Plani thuhet se nuk përmend të drejtën e kthimit të rreth 6 milionë refugjatëve palestinezë të cilët Izraeli i ka dëbuar nga territoret e tyre.

Planin të cilin presidenti i Plaestinës, Mahmud Abbas e ka cilësuar si “Shuplaka e Shekullit”, përveç disa ndihmave ekonomike thuhet se nuk përfshin asgjë në favor të popullit të Palestinës.

Detajet e planit në fjalë nuk janë ndarë ende me opinionin publik për shkak të krizës së koalicionit i cili vazhdon prej disa kohësh në Izrael.