Trump beson se gazetari Khashoggi është i vdekur

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, është shprehur se ai beson se gazetari saudit Jamal Khashoggi është i vdekur, duke shprehur besim mbi raportet e inteligjencës nga burime të shumta që fuqimisht sugjerojnë rolin saudit në këtë rast, transmeton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Trump në një intervistë për New York Times ndaloi të thoshte se princi saudit i kurorës, Mohammed bin Salman, ishte përgjegjës për vdekjen e gazetarit Khashoggi.

Por, Trump pranoi se akuzat mbi atë se princi urdhëroi vrasjen kanë ngritur pyetje të thella rreth aleancës amerikane me Arabinë Saudite, duke ndezur një nga krizat më serioze të politikës së jashtme të presidencës së tij.

“Kjo gjë ka kapur imagjinatën e botës, për fat të keq”, u tha Trump gazetarëve të New York Times në një intervistë të shkurtër në Zyrën Ovale, duke theksuar më tej, “Nuk është pozitive. Nuk është pozitive”.

“Nëse nuk ndodh mrekullia e të gjitha mrekullive, do të pranoj se ai është i vdekur”, tha Trump dhe shtoi, “Kjo bazohet në të gjitha shërbimet e inteligjencës që arrijnë”.

Pas një kohe të shkurtër, Trump përsëriti para gazetarëve në Bazën e Përbashkët Andrews se ai besonte se Khashoggi është i vdekur duke thënë se, “Kjo është gjë e keqe, e keqe dhe pasojat duhet të jenë të rënda”.

Intervista për New York Times ndodhi pasi presidenti u informua nga Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, i cili u kthye nga një udhëtim në Arabinë Saudite dhe në Turqi.

Gazetari dhe kolumnisti i “The Washington Post”, Jamal Khashoggi, i cili ka dhënë kontribute edhe për “Al Watan”, një platformë e rëndësishme për reformistët sauditë, u zhduk më 2 tetor pasi hyri në kompleksin e Konsullatës së Arabisë Saudite në Stamboll, ndërsa ka shqetësime se ai mund të jetë vrarë brenda saj.

Sipas burimeve të policisë turke, të njëjtën ditë, 15 sauditë, duke përfshirë disa zyrtarë, arritën në Stamboll me dy avionë dhe vizituan konsullatën në kohën kur Khashoggi ishte ende brenda. Të gjithë individët e identifikuar kanë lëshuar Turqinë.

Për hetimin e rastit është formuar një ekip ekspertësh me propozim të Arabisë Saudite i përbërë nga zyrtarë sauditë dhe turq, i cili filloi punën të hënën me një hetim disa orësh në ndërtesën e konsullatës.

Grupi i përbashkët hetues sot në orët e hershme përfundoi edhe hetimin e nisur dje në rezidencën e konsullit gjeneral Mohammad al-Otaibi, i cili është larguar nga Turqia.