Trump: Afganistanin brenda një jave e fshij “nga faqja e dheut”

Presidenti Donald Trump tha të hënën se ai mund ta fitojë luftën në Afganistan brenda një jave, por nuk dëshiron të vrasë miliona njerëz dhe të fshijë Afganistanin “nga faqja e dheut”.

Ai u përpoq të bindë Pakistanin që të ndihmojë në arritjen e një marrëveshjeje me talebanët, që do t’i jepte fund luftës më të gjatë në historinë e Amerikës.

“Unë mund ta fitoj atë luftë brenda një jave” por “nuk dua të vras miliona njerëz,” tha Presidenti Trump.

Afganistani ishte ndër temat kryesore gjatë takimit të Presidentit Trump me kryeministrin e Pakistanit, Imran Khan dhe marrëdhëniet e tyre shpesh të tensionuara mund të përmirësohen. Trump thotë se Pakistani mund të përdorë ndikimin e tij tek talebanët për të ndihmuar SHBA të largohen nga Afganistani.

Pakistani, i cili përballet me probleme ekonomike, dëshiron të rivendosë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara me shpresën për të siguruar më shumë investime, tregti dhe ndoshta rivendosjen e ndihmës amerikane që u pre nga Presidenti Trump.

Khan tha se kurrë nuk besonte se lufta mund të zgjidhej me mjete ushtarake. Ai tha se SHBA dhe talebanët janë më afër një marrëveshjeje paqësore se kurrë më parë.

Trump dhe Khan, ish-personalitet i njohur sportiv, janë që të dy të paparashikueshëm dhe marrëdhënia e tyre ka qenë me ulje-ngritje. Vizita e së hënës synonte për të zbutur tensionet dhe për të zgjidhur problemet komplekse me të cilat ndeshen dy vendet.